Nisma “Libra dhe mësim duhet të ketë”, marsh protestues kundër digjitalizimit në arsim

11.05.2021 15:21

Prindërit të cilët janë kundër mësimit të paralajmëruar përmes librave digjitale....

Prindërit të cilët janë kundër mësimit të paralajmëruar përmes librave digjitale nga Nisma “Libra dhe mësim duhet të ketë”, paralajmërojnë protesta pasi MASH nuk pranon kërkesën e tyre për tërheqjen e ligjit.

Të shtunën ata do të organizojnë marsh protestues në Shkup dhe qytetet tjera të vendit. Nga kjo nismë po ashtu paralajmërojnë kërkesë për referendum kundër ligjit që parasheh mësim me libra digjitale.

“U munduam të propozojmë zgjidhje për ndryshime të  ligjit që të ketë reforma që u përshtaten nxënësve, por kompetentët janë të shurdhër ndaj kërkesave tona. Dëshirojnë që përmes demagogjisë të na imponojnë reforma që nuk janë në interes për fëmijët tanë. Po fillojmë nismën për stopimin e këtij ligji me protesta dhe më pas nismën për referendum kundër ligjit.”,- tha Dragana Spasevska nga “Iniciativa libra dhe mësim duhet të ketë”.

Spasevska njëherit bëri të ditur se do të ndërpresin thirrjen për bojkot të mësimit sepse nxënësit duhet ti marrin notat përfundimtare për këtë vit shkollorë.

MASh: Ligji për Libra Digjital nuk do të  tërhiqet

Nga ana tjetër MASH me qëndrim se ligji për libra digjital nuk do të tërhiqet, sepse është reformë cilësore e cila do të aplikohet në mënyrë etapore dhe nuk ka për qëllim shfuqizimin e librave të shtypura.

“Ata thonë se duhet të ketë mësim me libra, ne themi se mësim ka dhe do të ketë dhe libra ka dhe do të ketë, prandaj të gjitha kërkesat që janë parashtruar janë realizuar.”,- theksoi Milla Carovska nga MASh.

Nga Ministria e Arsimit po ashtu theksojnë se Ligji i ri për Libra Shkollorë është diçka që opinioni e kërkon një kohë të gjatë, sepse deri më tani kishim libra jocilësorë, përplot me përmbajtje diskriminuese dhe të pasakta.

Tani jepet mundësia për zgjedhje mes tri librave, respektivisht bëhet demonopolizimi i shtypjes së librave. Njëkohësisht do të ketë edhe libra inkluzivë, audiolibra dhe libra të shtypura sipas letrës së Braut.

Deri te MASh janë dorëzuar edhe kërkesa që të  shfuqizohet përmbajtja gjinore sensitive dhe të mos bëhet bashkimi i disa lëndëve në një lëndë. (Flutura Latifi, TVM2)