Shumica e maqedonasve, nuk e dinë çka festojnë sot shqiptarët
Edhe pse jetojmë bashkë, ne jo gjithmonë i njohim festat e njëri-tjetrit. Sot është festa më e madhe për shqiptarët kudo që jetojnë, por sa e dinë këtë fakt bashkëqytetarët tanë maqedonas dhe të përkatësive tjera etnike.......

Vetëm një prej qytetarëve të anketuar e dinte se sot është “Dita e Pavarësisë dhe Flamurit Shqiptar”, ndërsa të tjerët ishin indiferent dhe të painformuar për këtë çështje.
“Sot është e premte dhe 28 nëntori, nuk më asocon në asgjë, ndoshta është festë për shqiptarët, por s’jam shqiptar dhe nuk e di”- u shpreh një qytetar.
“Sot është e premte, ose është 28 nëntori, “Dita e Flamurit””- tha një qytetar.
“Nuk kam lidhje”- theksoi një qytetare.
“Do të kisha gënjyer nëse ju thosha se e di se çfarë festë është sot, por e di se është një ditë me rëndësi për shqiptarët”- potencoi një qytetar.
Dallime dhe njëfarë rezerve ndaj historisë shqiptare ka edhe nëpër stendat e librave në kryeqytet. Në stendat ku shiten libra në gjuhën maqedonase, nuk ka asnjë libër me përmbajtje të historisë shqiptare. Dhe s’do mend që edhe shitësja nuk e dinte se çfarë feste është “28 nëntori”, sepse nuk ka pasur ku ta lexojë.
- A ju asocon diçka data e 28 nëntorit?
“28 nëntori mua nuk më asocon në asgjë, por 29 nëntori më asocon për AVNOJ-in (Lufta Antifashiste për Çlirim). Unë në stendën tim nuk mbaj libra me përmbajte të historisë shqiptare, jo që nuk dua, por mua personalisht nuk më kanë ardhur libra të tilla”- u shpreh një shitëse e librave te sheshi “Maqedonia”.
Kur ne ua treguam se çfarë feste në të vërtetë është sot dhe sa e rëndësishme është kjo ditë për shqiptarët, kishte edhe maqedonas që na e uruan “28 Nëntorin”.
“Unë personalisht nuk kam ndonjë problem me shqiptarët këtu dhe përzemërsisht do të t’ua uroja festën e flamurit”- tha një qytetar.
“Duhet respektuar të gjithë festat dhe duhet të dihen të gjitha festat e etniteteve të cilat jetojnë këtu”- theksoi një qytetar.
Të shpresojmë që vitin tjetër bashkëqytetarët tanë ta dinë se çfarë feste është “28 Nëntori” për shqiptarët, sepse flamujt e kuq, që kanë mbushur komunat shqiptare, më së miri tregojnë se për ne sot është “Dita e Flamurit. (Rexhep Qamili, TVM2)
