Maqedoni
Procesi gjyqësor “Mafia”, Milloshovski: Të hetohet lidhja Zaev–Peker
11.05.2021 16:47
VMRO–DPMNE kërkon nga Prokuroria Publike të hetojë lidhjen e kryeministrit, Zoran Zaev...

VMRO–DPMNE kërkon nga Prokuroria Publike të hetojë lidhjen e kryeministrit, Zoran Zaev, me shefin e mafias turke, Sedat Peker, pasi ky i fundit dy ditë më parë ka pohuar lidhjen me kreun e qeverisë. Sipas deputetit, Antonio Milloshovski, bashkë me Zaevin në prokurori do të duhet të paraqiten edhe disa këshilltarë të kryeministrit të cilët kanë takuar personalisht Peker muajt e fundit. Partia e Mickovskit kërkon përgjigje për takimet e realizuara.
“Pika e vetme që lidh Sedat Pekerin dhe Zoran Zaevin, nga ajo që mund të konstatojmë janë narkotikët. Sedat Peker punon me tregti me narkotikë në nivel ndërkombëtarë, përderisa Zoran Zaev dhe kushërirët e tij merren me biznes të marihuanës brenda Maqedonisë, sikurse e pamë nga shoferi i familjes së Zaevit, i njëjti u arrestua duke transportuar marihuanë.”,- tha Antonio Milloshovski nga VMRO–DPMNE.
LSDM: VMRO mbron krimin
Nga LSDM me kundërakuza se partia e Mickovskit shpërndan lajme të rreme dhe bllokon gjithçka që është në interes të qytetarëve.
“VMRO–DPMNE, mbron krimin në vend që të mbrojë interesat e qytetarëve. Në vend se të afirmojë interesat shtetërore dhe kombëtare, VMRO–DPMNE përfaqëson interesat e Mickovskit.”, thuhet në kumtesën e socialdemokratëve.
Megjithatë nga VMRO–DPMNE këmbëngulin në hetim më të thellë në rastin gjyqësor “Mafia”. Sipas tyre dënimet e deritanishme janë minimale me ndëshkimin vetëm të disa administratorëve, duke lënë jashtë përgjegjësisë organizatorët e dhënies së 214 pasaportave falso.
MERAL ISMAILI
