Maqedoni
Borel për integrimin e RMV-së dhe Shqipërisë: S’ka mbështetje për ndarje
11.05.2021 18:12
Bashkimi Evropian nuk e dëshiron ndarjen e RMV-së dhe Shqipërisë në rrugën euro-atlantike...

Bashkimi Evropian nuk e dëshiron ndarjen e RMV-së dhe Shqipërisë në rrugën euro-atlantike, por duhet të zhbllokojë rrugën për të ecur përpara, ndërsa Këshilli Evropian është aty për ta mbështetur dhe ndihmuar, ka thënë përfaqësuesi i lartë i BE-së, Xhozef Borrel.
“Nuk ka përkrahje për ndarje as nga institucionet e as nga vendet anëtare të BE-së. RMV i ka plotësuar kushtet për fillimin e bisedimeve dhe njësoj sikur Shqipëria meriton të vazhdojë në fazën tjetër, pa prolongim.”,- tha përfaqësuesi i lartë i BE-së, Xhozef Borrel.
Zaev nga Brukseli: Identiteti maqedonas, asnjëherë në negociata
Ndërkohë, kryeministri, Zoran Zaev, në takimet dyditore me përfaqësuesit e institucioneve të Brukselit ka qenë i prerë: Identiteti maqedonas asnjëherë nuk do të jetë pjesë e negociatave. Hapi i radhës ndaj RMV-së do të jetë sinjal i qartë për tërë Ballkanin Perëndimor, ka thënë ai.
“A mund të flasim për Ballkanin Perëndimor pa RMV-në? A mund të flasim për Evropën pa Ballkanin Perëndimor, jo? Kemi luftuar shumë në dekadat e fundit për të gjetur paqen dhe tolerancën dhe tani të gjithë jemi të gatshëm të integrohemi. Një hap përpara pozitiv për RMV-në është mesazh për inkurajim për tërë rajonin dhe anashkalimi i RMV-së do të jetë mesazh dëshpërimi për tërë Ballkanin Perëndimor. E di unë, e dinë edhe liderët e BE-së.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Kryeministri, Zoran Zaev, ofanzivën diplomatike e vazhdon në Madrid për t’u takuar me politikanët spanjollë, ndërkaq nga Madridi fluturon për në Athinë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
