Maqedoni

Kundërshtarët e librave digjitalë, takim me Avokatin e Popullit

11.05.2021 18:41

Përfaqësues të Iniciativës Qytetare "Libra dhe mësim duhet të ketë" dhe Koalicioni "Ndryshimi"...

Përfaqësues të Iniciativës Qytetare "Libra dhe mësim duhet të ketë" dhe Koalicioni "Ndryshimi", nxënës dhe arsimtarë, realizuan takim me Avokatin e Popullit, në të cilin shpalosën qëndrimet e tyre lidhur me paralajmërimin e aplikimit të librave digjitale.
 
Ata vlerësojnë se me këtë propozim ligj shkelet e drejta e arsimit dhe e drejta për mbrojte shëndetësore. 
               
“Mund të bëhen libra digjitalë vetëm si ndihmë, jo si bazë. Këtu duhet të shikohen tre gjëra, e para aspekti material, aspekti moral dhe emocional i nxënësve. Në qoftë se nuk i shohim këto gjëra së bashku, mendoj se në vend që të fitojmë do të humbim.”,- tha arsimtari i matematikës, Xhelal Ramadani. 
 
“Ftojmë ministren të realizojë takim me ne, përndryshe ne si koalicion do të formojmë grupe inkluzive si klasa të cilave do të jemi të zëshëm në shoqëri. Paramendoni dikush nga ju të ketë të dëmtuar, të pamurit, si është dikush të ju lëshoj librin e ju ta dëgjoni, ku është interaktiviteti, kjo është e pakuptimtë.”,- tha Suad Alisha nga Koalicioni "Ndryshimi".
 
“Kushtet në shkollat tona janë akoma të papërshtatshme si për kushtet teknike ashtu dhe për mësim në kushte normale. Vlerësoj se me digjitalizmin e tërësishëm të librave do të shkelen më shumë të drejta të fëmijëve. Do të shkelet e drejta e mësimit pa pagesë e garantuar me kushtetutë dhe Konventën për të drejta të njeriut, pasi çdo fëmijë duhet të ketë në shtëpi internet që duhet ta paguajë më pas prindi. Do të shkelet edhe e drejta e mbrojtjes shëndetësore pasi fëmija duhet të kalojë shumë orë në kompjuterë, ku është këtu shëndeti i fëmijëve.”,- u shpreh ish zëvendës-avokatja e popullit, Nevenka Krusharovska.
 
“Mendoj se është shumë herët. Ne si vend jemi me vite mbrapa nga vendet botërore që nuk e kanë futur këtë tip të digjitalizimit. Fillimisht duhet realizuar kushtet bazë në shkolla e më pastaj të synojmë digjitalizimin.”,- tha nxënësi i shkollës së mesme, Filip Dimitriev.
 
Qëndrimi i Avokatit të Popullit për realizimin e një reforme të tillë është se duhet të konsultohen tre faktorët kryesorë, nxënës-prindër-arsimtarë dhe analizë gjithëpërfshirëse se sa shteti është i përgatitur të bëjë reforma të këtij lloji.
 
"Avokati i Popullit vlerëson se digjitalizimi është padyshim avancim në arsim dhe duhet të përkrahet, por pa parakushte adekuate kjo reformë nuk do t’i japë rezultatet e pritura.",- thuhet në kumtesën e Avokatit të Popullit.
 
Apeloi drejtorët dhe kuadrin arsimorë të mos u bëjnë presion fëmijëve kur shfrytëzojnë të drejtën e garantuar me kushtetutë për shprehjen e pakënaqësisë.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI