Kërçova shënoi “28 Nëntorin”

28.11.2014 16:22

“Dita e Flamurit Kombëtar Shqiptar”, u shënua edhe në rajonin e Kërçovës....

Aktivitetet për shënimin e kësaj dite të madhe historike filluan me homazhet në Qendrën Memoriale të Zajazit, ku në shenjë nderimi për të rënët e lirisë u vendosën kurora lulesh. Me solemnitete të ndryshme kulturo-artistike, kjo ditë u shënua edhe në shkollat me mësim në gjuhën shqipe të rajonit të Kërçovës, ndërsa manifestimi qendror i organizuar nga Komuna e Kërçovës u mbajt në sheshin e qytetit.

Aktivitetet për shënimin e “Ditës së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar” filluan me homazhet në Qendrën Përkujtimore të Zajazit, ku pjesëtarë të institucioneve lokale dhe shoqatave joqeveritare, që veprojnë në Komunën e Kërçovës, vendosën lule të freskëta në shenjë nderimi për të rënët në periudha të ndryshme kohore. 

Koordinatori i Këshillit të Qendrës Përkujtimore “Nëna Shqiptare”, Musli Musliu, potencoi se vizitat e deritanishme në këtë ditë madhështore dëshmojnë vlerën e madhe të sakrificës shqiptare në këto hapësira. Me rastin e “Ditës së Flamurit”, nënvizoi ai, u shpalosën 300 emrat e të rënëve, të cilët pas verifikimit, janë vendosur në obelisqet e Qendrës Memoriale “Nëna Shqiptare” në Zajaz. 

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, duke i përgëzuar shqiptarët për këtë ditë të madhe historike të kombit, potencoi se gjaku i derdhur dhe sakrifica e popullatës vendore në mbrojtje të dinjitetit shqiptar dhe e kaluara jonë historike, na jep fuqi reflektuese për të ardhmen. (Shaban Dalipi, TVM2)