Falet Fitër Bajrami në Kosovë

13.05.2021 09:02

Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë...

Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, është zhvilluar ceremonia e faljes së Fitër Bajramit.

Falja e Fitër Bajramit është organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe është mbajtur me distancë fizike nga besimtarët musliman të pranishëm brenda xhamisë.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava tha se festa e Fitër Bajramit e përcjellë Muajin e Ramazanit, i cili është muaj i kultivimit të vlerave të larta shpirtërore dhe ku theksohet dashuria ndaj Zotit dhe gjatë të cilit besimtarët myslimanë bëhen më të ndjeshëm dhe mirëkuptues.

“Sot kemi festë. Kemi festën e Fitër Bajramit, e cila na bashkon me familje dhe më të dashurit tanë, fqinjët tanë, miqtë dhe farefisin. Festa e Fitër Bajramit kultivon në formën më të mirë ndjesinë e mirëkuptimit, tolerancës, harmonisë, respektit dhe bujarisë, vlera këto që fisnikërojnë individin dhe shoqërinë. Kjo festë madhore paraqet një ndër momentet që shërbejnë për të njohur veten, për të mësuar drejtë misionin tonë dhe për ta ruajtur ekuilibrin e shpirtërores përballë materiales”, theksoi myftiu Tërnava.