Papa Françesku për vizitë në Turqi
Papa Françesku, mbërriti sot në Turqi, në një vizitë të konsideruar historike për të promovuar dialogun ndërfetar.......

Gjatë një konference për media, Papa Françesku u shpreh se Turqia është një vend me bukuri natyrale dhe historike. Papa, u prit në aeroport nga presidenti turk, Recept Taip Erdogan, ndërkohë që gjatë vizitës treditore, kreu i kishës katolike do të vizitojë edhe Stambollin, ku do të takohet me kreun e kishës ortodokse. Kjo është vizita e katërt e një pape në Turqinë me mazhorancë myslimane.
"Jam i lumtur që vizitoj vendin tuaj me një bukuri natyrore dhe historike. Turqia është plot gjallëri dhe dëshirë për të punuar. Sot nevojitet dialog mes vendeve, për të zgjidhur krizat në botë. Paqja vjen nga mirëkuptimi dhe dialogu"- tha Papa Françesku.
Ndërsa presidenti, Rexhep Taip Erdogan, në këtë deklaratë të përbashkët u shpreh se paqja duhet të mbizotërojë në tokë. Sipas tij, lufta në Irak është një rrezik për mbarë botën.
Turqia strehon rreth 1.6 milionë të zhvendosur nga konflikti në Siri, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë në kushte ekstreme nëpër kampet humanitare të ngritura në kufirin me Sirinë.
Zyrtarisht Turqia është laike, ku feja është e ndarë nga punët e shtetit, megjithatë që prej vitit 1971, shkolla teologjike ortodokse “Halki” në Stamboll qëndron e mbyllur. (Valbon Bexheti, TVM2)
