Në Reçan, gurthemeli për memorialin “Luftëtari i Lirisë”

28.11.2014 17:17

Me rastin e 28 nëntorit, “Ditës së Flamurit Kombëtar”, sot në fshatin Reçan u hodh gurthemeli i kompleksit memorial për dëshmorët e kombit dhe viktimave nga ky fshat që nga viti 1912, i titulluar “Luftëtari i Lirisë”.......

Solemniteti i fillimit të punimeve u mbajt në hyrje të fshatit, aty ku është paraparë lokacioni për këtë kompleksi memorial, ndërsa morën pjesë banorë të këtij fshati, si dhe shumë reçanas të shpërngulur në qytet.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Reçan, Afrim Arifi, pasi falënderoi mërgimtarët e fshatit Reçan për këtë iniciativë, e cila filloi të bëhet realitet, potencoi se ky monument do të jetë i një rëndësie të posaçme për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij fshati.

Për rëndësinë e këtij kompleksi memorial foli edhe Nasir Rustemi, kryetar i iniciativës në diasporë për projektin “Luftëtari i Lirisë”.

Sipas konceptit të kompleksit memorial për dëshmorët e kombit dhe viktimave nga  fshati Reçan që nga viti 1912, do të shquhet përmendorja e heroit të këtij fshati, Aqif Reçanit.

Punimet priten të zgjasin një vit, ndërsa inaugurimi i kompleksit memorial “Luftëtari i Lirisë” pritet të bëhet në festën e radhës të flamurit kombëtar shqiptar, “28 Nëntorit” 2015. (Lulzim Haziri, TVM2)