Pandemia ndaloi dasmat, pronarët e salloneve presin të rihapen

13.05.2021 13:18

Tavolina të boshatisura, hapësira boshe të lëna pas dore....

Tavolina të boshatisura, hapësira boshe të lëna pas dore.

“Kjo është pamja që po mbizotëron në një prej salloneve të dasmave në vendin tonë. Ky sektor është i mbyllur gati dy vite dhe si i tillë, është njëri nga më të goditur nga restriksionet e ndërmarra si pasojë e pandemisë Covid 19.”

Ekrem Memishi, pronar i një salloni që organizon dasma në Shkup thekson se humbjet që kanë përjetuar , janë të mëdha. Apelon që të mirren parasysh kërkesat e tyre dhe të fillojnë të punojnë me protokolle. 

Ai thekson se në qoftë se edhe këtë vit do t’u pamundësohet organizimi i dasmave, shumë restorante do të jenë të detyruara të mbyllen. 

“Do të falimentojmë. Do t’i nxjerrim objektet për t’i shitur ose t’i japim me qira. Është fakt që ky objekt është i imi, por kam kolegë të cilët nuk mund t’i përballojnë.Kemi dalë edhe në protesta,  kemi kërkuar të punojmë të paktën me protokolle, ashtu siç po punojnë kafenetë. Ne po shohim nëpër kafene, për shembull një restorant që është 100 metra katrorë ka 70-80 mysafir, ne kemi kapacitete të mëdha, kemi nga 1 mijë metër katror. Tavolinat tona siç mundeni ta shihni janë dy metra, distanca është e garantuar” – u shpreh Pronari i Sallonit të dasmave, Ekrem Memishi.

Jo vetëm pronarët e dasmave ballafaqohen me krizë finaniare, por edhe të punësuarit në këtë sektor, pasi që me mbylljen e salloneve të dasmave shumë punëtore janë nxjerrë nga puna.

“Firma jonë për momentin nuk kemi asnjë punëtor. Nuk kemi se si ti mbajmë, na kanë mbet pa punë. Ne gjatë sezonit punësojmë diku 60-70 persona. Domethënë janë në pyetje 70 familje vetëm tek unë, por sa ka lokale nëpër vend, ka shumë dhe me të vërtetë është krizë e madhe”  - deklaroi Memishi.

Ende nuk dihet se si do të jetë fati i salloneve të dasmave për këtë vit. Teksa ministri i shëndetsisë Venko Filipçe thote se është herët për dasma, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi ditë më parë deklaroi se me protokolle, dasmat mund te mbahen nga fundi i majit apo fillimi i qershorit nese shifrat covid vazhdojnë të bien. (Ersan Pajaziti, TVM2)