Botë
Fitër Bajrami në botë: Festë nën shenjën e pandemisë dhe luftës, falja e parë pas 87 vjetësh në Shën Sofi
13.05.2021 15:06
Myslimanët në botë po festojnë Fitër Bajramin në kushte pandemie...

Myslimanët u mblodhën para Qabesë, në xhaminë e madhe në qytetin e shenjtë të Mekës, për të marrë pjesë në faljen e Bajramit, ndonëse më të paktë në numër për shkak të pandemisë. Në Rripin e Gazës, të përfshirë nga dhuna, thirrjet për falje u dëgjuan mbi godinat e rrafshuara dhe malet më rrënoja ndërkohë që avionët izraelitë vazhduan të sulmojnë territorin në shpërthimin më të rëndë të dhunës që nga lufta e 2014-ës.
Në Afganistan, talebanët dhe qeveria afgane shpallën një armëpushim treditor për festën e Bajramit, pas javësh përleshje të ashpra. Në këtë mënyrë, afganët mundën të shënonin festën me miq dhe familjarë.
Pas 87 vitesh, u mbajt këtë mëngjes në Shën Sofia në Stamboll, falja e parë në fund të muajit të Ramazanit. Qindra besimtarë u mblodhën në sheshin përpara, në zonën historike të Sulltan Ahmetit, në pjesën më të madhe jashtë për të siguruar distancimin dhe për të respektuar masat anti-Covid, ndërsa një numër i kufizuar u pranuan brenda ndërtesës.
Besimtarët brohorisnin disa parulla kundër Izraelit dhe në mbështetje të çështjes palestineze. Pas gati një mijëvjeçari si një bazilikë e krishterë, Hagia Sophia u shndërrua në një vend adhurimi islamik me pushtimin osman të Konstandinopojës në 1453. Verën e kaluar, Këshilli Shtetëror i Ankarasë anuloi dekretin e vitit 1934 me të cilin Presidenti i atëhershëm turk, Mustafa Kemal Ataturk, vendosi të transformonte e shndërrojnë atë në një muze për ta çliruar nga pretendime të ndryshme fetare dhe “t’ia dhurojnë njerëzimit”.
Besimtarët me maska morën pjesë në faljet e përbashkëta në rrugët e kryeqytetin indonezian, Jakarta. Vendi me popullatën më të madhe myslimane në botë lejoi faljet në xhami në zonat me rrezik të ulët, por xhamitë në zonat ku virusi qarkullon më shumë, qëndruan të mbyllura. Indonezianët dhe malajzianët, për të dytin vit radhazi i kanë të ndaluara udhëtimet për të festuar me familjarë të tjerë.
Në Bangladesh ndërkohë, dhjetëra e mijëra njerëz u larguan nga kryeqyteti Dhaka, për t’iu bashkuar familjeve në fshatra për Bajram, pavarësisht izolimit kombëtar dhe pikave të kontrollit nëpër rrugë. Ekspertët druajnë për një rritje rastesh në vendin që ka edhe mungesë vaksinash.
ERSAN PAJAZITI
