Tetovë, vihet gurthemeli për ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës

28.11.2014 17:43

Është hedhur sot gurthemeli për fillimin e ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë, i cili financohet nga mjetet e buxhetit të Qeverisë dhe arrin vlerën prej rreth 13 milionë euro..........

Duke u vlerësuar si projekt tepër madhor dhe i rëndësishëm, ky akt u bë sot në “Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë”.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, ka deklaruar se bashkëpunimi mes Qeverisë dhe Pushtetit Lokal do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ku do të realizohen të gjitha premtimet e dhëna gjatë fushatës në zgjedhje.

“Asnjëherë nuk do t’u shmangemi atyre premtimeve që u kemi dhënë elektoratit. Bashkëpunimi mes Qeverisë dhe Pushtetit Lokal do të jetë edhe më dinamik në të ardhmen dhe të gjitha segmentet që ka nevojë qyteti, duke filluar nga infrastruktura, ujësjellësit, projektet e ekologjisë, projektet e sportit. Unë jam shumë optimist se Tetova do të ketë ndryshime të mëdha dhe ne do të mblidhemi edhe shumë herë të tjera që të promovojmë projekte të tjera, besoj edhe më madhore se ky që është sot”- deklaroi zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, duke u shprehur mirënjohëse për fillimin e punimeve dhe ndarjen e mjeteve, deklaroi se ky projekt është tepër i rëndësishëm për qytetarët dhe do të vazhdojë përpjekjet për tërheqjen e fondeve shtetërore, me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të Tetovës.

“Normalisht që ne si komunë mbetemi të angazhuar për të tërhequr pjesën tonë të fondeve shtetërore që na takon. Jo vetëm për të qenë të barabartë, por për arsye se nevoja imanente e qytetarëve të këtij qyteti është që të kenë biblioteka me standarde të larta, teatro me standarde të larta. Një muaj me radhë në Tetovë tregohen dhe mbahen manifestime kulturore të nivelit të lartë dhe për ato ka nevojë hapësirë, për arsye se për ato ka publik dhe njerëz të cilët dëshirojnë të lexojnë dhe dëshirojnë që të përparojnë”- tha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, tha se fillimi i ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës dëshmon me vepër përpjekjet për ruajtjen e vlerave kulturore.

“Me ndërtimin e këtij objekti, rikonfirmojmë në vepër përpjekjet e paluhatshme të Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës ruajtjen e e vlerave të paçmueshme kulturore dhe letrare që posedon qyteti ynë krenar dhe njëkohësisht ndërtimi i këtij objekti do të jetë edhe përgjigje e përpjekjeve për të qenë në hap me trendet bashkëkohore evropiane në fushën e veprimit bibliotekar dhe teatror”- u shpreh Behixhudin Shehapi nga Ministria e Kulturës.

Kryetari i Qendrës Kulturore në Tetovës, Haki Fazliu, potencoi se investimi që bëhet në këtë objekt, do t’u shërbejë gjeneratave të ardhshme për të jetësuar idealet e tyre edhe më tej.

“Është objekt ku jetësohet edhe fryma e bashkëjetesës së qytetarëve tanë, pasi ky objekt do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, të gjitha komuniteteve, pasi secili prej tyre do të ketë mundësi dhe shansë të barabarta për të zhvilluar aktivitetet e tyre kulturore”- theksoi kryetari i Qendrës Kulturore në Tetovës, Haki Fazliu.

Projekti i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, arrin vlerën prej 13 milionë euro, ndërsa në tërësi ai duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2017. (Mefail Ismaili, TVM2)