Botë
Vazhdojnë tensionet në Lindjen e Mesme, 83 të vrarë në Gaza, mes tyre 17 fëmijë, 7 në Izrael
13.05.2021 15:57
Vazhdojnë të përshkallëzohen tensionet në Lindjen e Mesme edhe përkundër thirrjeve për qetësi...

Vazhdojnë të përshkallëzohen tensionet në Lindjen e Mesme edhe përkundër thirrjeve për qetësi dhe paralajmërimit të OKB-së për një “luftë në shkallë të plotë”.
Përshkallëzimi i luftimeve, i cili filloi të hënën, ka nxitur sulmet që vazhdojnë nga të dyja palët. Palestinezët flasin për të paktën 83 të vrarë në Gaza , izraelitët për 7.
Mes të vrarëve palestinezë janë edhe 17 fëmijë. Më shumë se 374 njerëz u arrestuan dhe 36 oficerë u plagosën, tha policia izraelite. Militantët e Hamasit kanë lëshuar dhjetëra raketa në Izrael pasi sulmet ajrore izraelite vranë komandantët dhe rrëzuan një ndërtesë shumëkatëshe në Gaza.
Gjatë së mërkurës mbrëma, hebrenjtë e ekstremit të djathtë kanë vërshuar rrugët, në kërkim të arabëve, ndërsa qytetarët palestinezë të Izrealit po përplasen me policinë. Izraeli shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Lod mes breshërisë së sulmeve me raketa.Shpërthime pati edhe në kryeqytetin Tel Aviv.
Izraeli e ka refuzuar një propozim të Hamasit për armëpushim, shkruan The Guardian.Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua ta zgjerojë ofensivën, dhe tha se militantët do të paguanin.
Luftimet vijnë pas trazirave disa ditore dhe përballjes së dhunshme mes policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë pranë Xhamisë së Al Aksës ose Malit Tempull, vend i shenjtë si për Islamikët ashtu edhe për Hebrenjtë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
