Maqedoni

Kontesti mes Shkupit dhe Sofjes, Zaev: Do të gjejmë zgjidhje me Bullgarinë, rajonit i duhet erë e re bashkëpunimi

13.05.2021 16:49

Kryeministri Zoran Zaev është optimist se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të tejkalojnë dallimet...

Kryeministri Zoran Zaev është optimist se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të tejkalojnë dallimet rreth interpretimit të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe se vendi do të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian.
 
Në Forumin Ekonomik Delfi në Athinë, Zaev tha se Marrëveshja e Prespës është shembulli më i mirw, i cili dëshmon se nëse ka vullnet nga të dy palët, çdo mosmarrëveshje mund të zgjidhet. Në këtë drejtim kërkoi edhe përkrahjen e fqiut jugor, me të cilin ndan një përvojë suksesi.    
 
“Mendoj se do të gjejmë zgjidhje me Bullgarinë. Na duhet ndihmë nga Greqia, e cila tani është partneri ynë strategjik. Greqia është shumë e zëshme në Këshillin Evropian përmes kryeministrit Micotakis dhe ministrit Dendias. Ata janë shumë të fokusuar dhe liderë të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Na duhet përkrahje nga Greqia edhe në rrugën tonë evropiane, dhe jemi mirënjohes që po e marrim këtë mbështetje”, u shpreh kryeministri Zoran Zaev.
 
Konsideron se palët nuk duhet të hezitojnë që t’i japin rajonit një Ballkan të ri, të shekullit 21, në të cilin e kaluara nuk duhet të jetë pengesë për të ardhmen e përbashkët evropiane.
 
“Rajoni ynë duhet të hyjë në erën e bashkëpunimit për prosperitet të të gjithë popujve tanë. Të përforcohet bashkëpunimi ekonomik, investimet, të përforcohet besimi me qëllim të avancimit të bashkëpunimit tregtar”, theksoi Zaev.
 
Interpretimet e ndryshme të historisë se ku përfundon e shkuara e përbashkët e bullgarëve dhe maqedonasve, sëfundmi po bëhen barrierë që po pengojnë fillimin e negociatave për anëtarësim, madje është hedhur idea për ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në këtë proces.     
 
SHPËTIM NUREDINI