SHBA, të vaksinuarit mund të mos mbajnë maska
Amerikanët e vaksinuar me dy doza të vaksinës anti Kovid....

Amerikanët e vaksinuar me dy doza të vaksinës anti Kovid, nuk e kanë të obligueshme ta mbajnë maskë në pjesën më të madhe të ambienteve të brendshme dhe të jashtme.
Këtë presidenti amerikan, Joe Biden, e përshkroi si ditë të madhe për Amerikën. Ai hoqi maskën nga fytyra në kabinetin e tij, pasi u njoftuan rekomandimet e reja nga zyrtarët shëndetësorë.
“Rregulli është i thjeshtë: vaksinohu ose mbani maskë derisa ta bëni atë. Zgjedhja është e juaja.”,- theksoi presidenti i SHBA-ve, Joe Biden”.
Mbajtja e maskës rekomandohet edhe më tej në ambiente të mbyllura ku ka shumë njerëz, si autobusë, aeroplanë dhe spitale.
Sipas rekomandimeve të reja të Qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, distanca fizike si masë gjithashtu shfuqizohet për të vaksinuar plotësisht. Biden bëri thirrje edhe për rihapjen e plotë të shkollave në vjeshtë, pasi u miratua përdorimi i vaksinës Pfizer/Biontec për fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç. Ndërkohë e frikësuar nga përhapja e shpejtë e virusit indian Britania po mendon për kufizime “ekonomike dhe sociale” në disa pjesë të vendit, edhe pse ishte paraparë lehtësimi i masave më 17 maj.
Masat mund të përfshijnë përshpejtimin e marrjes së dozës së dytë të vaksinës për disa njerëz që jetojnë në zonat më të prekura. Të enjten, Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar 11 viktima dhe 2 mijë e 657 raste me Kovid 19.
Rreth 36 milionë banorë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës anti Kovid në Britani, ku sipas autoriteteve shëndetësore vaksinat kanë ruajtur jetët e 11 mijë e 700 personave dhe kanë parandaluar sëmundjen e rëndë te 33 mijë njerëz.
Në momentin që fushata e vaksinimit po avancon në të gjithë Europën, zonat turistike në Portugali, Itali dhe shtetet tjera evropiane po bëhen gati për të filluar sezonin. (Gyltene Sinani, TVM2)
