Maqedoni
Takim Osmani – Mazi, “RMV dhe Shqipëria të nisin bisedimet në qershor”
14.05.2021 15:44
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bashkojnë forcat për të ndihmuar njëra tjetrën në rrugën europiane...

Kryenegociatori me BE-në për Shqipërinë me ministrin e jashtëm Bujar Osmani në Shkup u dakorduan që të shkëmbejmë përvojat dhe të përforcojnë kapacitetet negociuese, pasi vlerësojnë se dy vendet duhet të nisin bisedimet në qershor pa kurrfarë shtyrje.
“Dallime dypalëshe, edhe mosmarrëveshje dypalëshe ka kudo, procesi i zgjerimit gjithsesi duhet të vijojë. Ne e kuptojmë se moszgjidhja e një mosmarrëveshje për një kohë të gjatë gjithmonë shtron pyetjen kur do të jetë kjo zgjidhje. Ne shpresojmë shumë se do të ketë një zgjidhje problemi dhe do të ketë një zgjidhje shpejt duke biseduar, duke biseduar dhe përsëri duke biseduar deri sa të arrihet ndonjë zgjidhje të mirëpritur nga të gjithë. Kërkesa logjike e Shqipërisë me vizion tek shpresat dhe interesat e mëdha strategjike, politike e gjeostrategjike europiane tek e ardhmja e vendit tim në BE, e vendeve tona, është që këto çështje të zgjidhen sa më parë që procesi i zgjerimit të vijojë.”,- deklaroi kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi.
Pavarësisht kontestit me Bullgarinë, Osmani thotë se s’duhet ndalur punën deri në qershor dhe qeveria teknike e Bullgarisë mund që të bëjë një zgjidhje. Këtë javë do të ketë edhe tentime më serioze diplomatike thotë Osmani.
Megjithatë sipas shefit të diplomacisë, anëtarësimi në BE realizohet sipas parimit të meritave dhe çdo bllokadë që mund ti bëhet Maqedonisë së Veriut, mund të jep sinjale negative për mbarë rajonin por edhe për BE-në.
“A ishte principi nëse ju realizoni - ne do të realizojmë. Nëse zbehet ky premtim, nëse nuk respektohet ky premtim, atëherë nuk do të kemi edhe forcë transformuese këtu në rajon dhe atëherë do të dalin idetë e tjera alternative siç edhe po paraqiten kohëve të fundit. Ky është qëndrimi ynë, pavarësisht Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën ashtu siç I ka plotësuar kushtet dhe ashtu siç e përcakton vetë dinamikën e vet. Ne nuk duam të mbajmë peng asnjë vend tjetër, por vlerësojmë se nuk do të ishte porosi e mirë e rajonit nëse Maqedonia e Veriut nuk do të lejohet të vazhdon rrugën se do të jetë një mesazh koftra-produktiv për të gjitha vendet e rajonit.”,- deklaroi ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani.
Sipas Osmanit Maqedonia e Veriut ka harmonizuar 40% të legjislaturës së saj me atë të BE – së, 94% me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE – së. Vendi bashkë me Shqipërinë në vitin 2018 nisën skrininingun, ndërkohë që në mars të këtij viti morën dritë jeshile për nisje të negociatave.
MERAL ISMAILI
