Maqedoni

Pendarovski nuk e nënshkroi Dekretin për ndërtimet pa leje

14.05.2021 18:42

Presidenti, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi Dekretin për shpallje të Ligjit për konfirmim të statusit juridik...

Presidenti, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi Dekretin për shpallje të Ligjit për konfirmim të statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje. Për këtë vendim e ka informuar edhe kryeparlamentarin, Talat Xhaferin, duke u apeluar deputetëve që pavarësisht përkatësisë politike të mendojnë edhe një herë para se të marrin vendim lidhur me tekstin e Ligjit.
 
“Vendimin tim që të mos e nënshkruaj Dekretin për shpallje të Ligjit e mora mbi bazë të analizës së detajuar të tekstit të këtij ligji, ku konstatova se teksti i ligjit është në kundërshtim me disa vlera thelbësore të Kushtetutës, si dhe me dispozita kushtetuese që dalin ose kanë të bëjnë me vlerat thelbësore të Kushtetutës. Gjithashtu, konsideroj se teksti i ligjit nuk ka asnjë justifikim shoqëror, respektivisht nuk është në drejtim të mbrojtjes dhe promovimit të interesit publik, që është detyrë themelore e çdo institucioni të pushtetit publik. Si President, u betova se do respektoj dhe mbroj Kushtetutën dhe ligjet. Kjo detyrë nuk nënkupton vetëm respektim dhe zbatim formal të Kushtetutës dhe ligjeve, por nënkupton edhe promovim të kulturës juridike.”,- thuhet në kumtesën e lëshuar nga presidenca. 
 
Mickovski: Pendarovski ka nënshkruar ligje më të dëmshme
 
Lidhur me vendimin e Pendarovskit ka reaguar kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, i cili ka vlerësuar se në të kaluarën presidenti nënshkroi shumë ligje më të dëmshme, si për ekonominë, ashtu edhe për qytetarët dhe për interesat kombëtare.
 
“E drejtë e presidentit është të mos nënshkruajë një ligj, ai përdori të drejtën e tij, unë nuk kam asgjë për të komentuar këtu, mbase duhet ta pyesni pse vendosi të mos nënshkruajë këtë ligj, i cili i shkoi te ai për nënshkrim, ndërsa në të kaluarën kanë nënshkruar  shumë ligje më të të dëmshme për ekonominë dhe qytetarët, por edhe për interesat kombëtare, kështu që unë ju drejtoj të pyesni Presidentin Pendarovski se çfarë e motivoi atë të vendoste për këtë hap.”,- u shpreh lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
 
Mickoski tha se Ligji për legalizimin e ndërtesave të paligjshme me siguri do të kthehet në kuvend prandaj u bëri thirrje të gjithë politikanëve të përdorin të drejtën e tyre për të bllokuar ligjin dhe të mos fshihen pas politikave ditore, pasi, siç thotë ai, vendi është shkatërruar në çdo nivel nga politikat e dëmshme të Zaevit. 
 
SANIJE DURAKU