Ferronikeli mposht Shkëndijën dhe fiton Kupën "Pavarësia"

28.11.2014 18:25

Skuadra kosovare e Ferronikelit ka fituar trofeun "Kupa Pavarësia”", e cila u zhvillua sot në Vlorë me rastin e 102-vjetorit të Pavarësisë......

Skuadra në fjalë ka triumfuar ndaj Llamkos Kosova, falë penalltive, dhe në finale ndaj Shkëndijës së Tetovës, falë një goli të Përparim Livorekas.

Shorti i përplasjeve ishte hedhur të enjten në mbrëmje, gjatë ceremonisë së organizuar nga FSHF-ja me përfaqësuesit e të katër skuadrave. Ndeshja e parë u luajt mes Flamurtarit dhe Shkëndijës së Tetovës. Fitoi 1-0 kjo e fundit, sepse trajneri Ernesto Ramela preferoi të aktivizonte mjaft të rinjtë, duke e ruajtur grupin për ndeshjen e fundjavës në kampionat, me Elbasanin.

Duhet nënvizuar fakti se për shkak të angazhimeve në kampionat, edhe kuqezinjtë e Tetovës përfaqësoheshin me ekipin e dytë, të përforcuar me Armend Alimin, që s’ka të drejtë loje në kampionat, pas 5 kartonëve të verdhë.

Ballafaqimi i dytë u luajt mes Llamkos Kosova dhe Ferronikelit. Dy skuadrakosovare këto, që kryesojnë në kampionatin përkatës. Loja ka qenë e ekuilibruar dhe goli ka munguar në 45 minutat e luajtura (aq ka qenë kohëzgjatja e një ndeshjeje të këtij turneu). Kështu, për të përcaktuar fituesin është dashur gjuajtja e penalltive. Ferronikeli ka triumfuar me rezultatin 3-1 nga pika e bardhë. Spikati me pritjen e tri penalltive portieri Granit Kolshi.

Skuadra, kryesisht falë tij, mbërriti në finalen e turneut, Shkëndija e Tetovës-Ferronikeli.

Në këtë finale vendosi goli i Përparim Livorekas, që shënoi në minutën e 6-të dhe i dha Ferronikelit "Kupën Pavarësia".

Skuadra “fair-play” e turneut u shpall Flamurtari i Vlorës, skuadra mikpritëse, ndërsa lojtari më i mirë i u shpall portieri Granit Kolshi.