Për festën e “28 Nëntorit”, nuk u harruan as shqiptarët ortodoks
Në “Ditën e 28 Nëntorit”, nuk u lanë anash as shqiptarët ortodoks në Maqedoni, për të cilët me vite të tëra ekzistimi i tyre ishte një realitet i heshtur......

Por, sot, për t’i dhënë peshë edhe më shumë kësaj dite u promovuan librat "Shqiptarët ortodoks në RM" dhe "Rilindasit shqiptarë". “Shqiptarët ortodoks në Maqedoni” është një studim shkencor, i cili tregon faktin mbi shqiptarët e Rekës së Epërme.
“Jam krenar që promovoj librin për shqiptarët ortodoks. Unë marr parasysh vitet, ekzistencën time e parashikoj në shkrimin e shumë librave, të cilat do ta zbardhin realitetin dhe problematikën reale të shqiptarëve. Vetëm në këtë formë mundem të paguaj borxhin ndaj popullit tim shqiptar. Mënyrë tjetër nuk shoh”- deklaroi autor i librit "Shqiptarët ortodoks në RM", Branko Sinadinovski.
Libri "Rilindasit shqiptarë", e botuar në gjuhën shqipe dhe atë maqedonase, përmban poezi që flasin për bashkim kombëtar e fetar.
“Poezitë e zgjedhura të këtyre rilindasve janë poezi që i këndojnë një të ardhme, bashkimit kombëtar e fetar, Pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve. Në këtë pikë, autorja do të theksojë se ata qartë e trasuan rrugën e emancipimit kombëtar dhe politik, njëkohësisht duke iu kundërvënë në mënyrë gjithnjë e më efikase të gjithë armiqve të brendshëm e të jashtëm”- tha panelisti, Avzi Mustafa.
“Këto poezi simbolizojnë një lindje të dytë të një pjese shumë të rëndësishme të popullit tonë, siç janë shqiptarët ortodoks të anës së Rekës, të cilët gati se pas një shekulli sjellin hapat e parë të një rilindje autentike shqiptare në atë që kanë qenë me farë e me fis”- theksoi panelisti, Sevdail Demiri.
“Populli shqiptar duhet të jetë popull konstituiv dhe i barabartë në RM-së, statusin e të cilit historikisht e ka pasur jo vetëm në Kryengritjen e Ilindenit, por edhe në krijimin e Shtetit të ri shqiptar. Autorja paraqet një supozim bazë për ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike, pa të cilat nuk ka dhe nuk do të ketë një Maqedoni politikisht dhe ekonomikisht të sigurt dhe stabile”- potencoi panelisti, Rasim Zuferi.
“Pikërisht në emër të fatit të përbashkët të shqiptarëve dhe maqedonasve, pikërisht në emrin e atij bashkëpunimi të nevojshëm dhe të domosdoshëm dhe në emrin e barazisë së tyre të plotë në të gjitha fushat, në këtë shtet të përbashkët, është përgatitur ky libër”- u shpreh autorja e librit “Lirindasit Shqiptarë”, Gordana Sinadinovska.
Nga BDI vlerësojnë se këto libra i japin një mesazh popujve të tjerë mbi realitetin e kombit shqiptar.
“Kjo është një porosi shumë e madhe për të gjithë shqiptarët, por edhe për të gjithë popujt që jetojnë në rajonin e Ballkanit, se te shqiptarët ka pasur dy fe dhe mes tyre kurrë nuk ka pasur luftëra fetare, por shqiptarët u janë ekspozuar torturave, asimilimeve të ndryshme shekullore. Shqiptarët kurrë nuk kanë bërë luftë mes vete në baza fetare, por që të gjithë janë organizuar në mbrojtje të identitetit të gjuhës dhe simboleve kombëtare”- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Duke shfletuar faqet e librit “Shqiptarët e Rekës” dhe duke kthyer kujtesën në të kaluarën tonë jo shumë të largët, ne në të vërtetë mësojmë historinë e dhimbshme të njeriut shqiptar, i cili për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar, gjeti rrugë alternative që për fatin e mirë u treguan të dobishme”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Lideri i BDI-së, Ahmeti, u shpreh se fare pak kanë rëndësi artikujt gazetaresk të cilët shkruajnë për mosekzistimin e shqiptarëve ortodoks në Maqedoni, pasi shkenca dhe profesori Sinadinovski janë një realitet i pamohueshëm. (Sanije Kasami, TVM2)
