Kumanovë, rreth 12.000 qytetarë të vaksinuar
Gjatë dy javëve të kaluara....

Gjatë dy javëve të kaluara kur edhe filloi vaksinimi në pikën rajonale të vaksinimit në Kumanovë, janë vaksinuar rreth 12.000 qytetarë, nga komunat e rajonit verilindor - Kumanovë, Likovë, Nagoriç, Rankovc, Kratovë dhe Kriva Pallankë.
Vaksinimi kryesisht po bëhet përmes paraqitjes në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë vakcinacija.mk. Por, këtë aktivitet po e vështirësojnë qytetarë të shumtë, të cilët dëshirojnë të vaksinohen pa caktuar termin.
“Qytetarët le të kenë durim, sepse të gjithë të interesuarit do të fitojnë termin dhe të gjithë do të vaksinohen .Deri të premten e kaluar në pikën e vaksinimit në Kumanovë janë dhënë rreth 12.000 vaksina, kurse për këtë javë na kanë dërguar vetëm 2000 doza vaksina “Sinofarm”, andaj do të punojmë vetëm në turnin e parë. I lus qytetarët që të mos vijnë pa termin dhe mos të na bëjnë presion për vaksinim pa termin. Dua të njoftoj se në Shtëpinë e shëndetit publik, tash ka filluar dhënia e dozës së dytë të vaksinës “Pfizer” për qytetarët e moshës mbi 70 vjeç, të cilët dozën e parë e kanë marr para 3 javësh.”,- deklaroi kryeshefja në Shtëpinë e Shëndetit, Snezhana Jovanovska.
Edhe në fillim të javës së tretë të vaksinimit në Kumanovë kishte interesim të madh për tu vaksinuar. Apeleve për tu paraqitur në vakcinacija.mk iu bashkëngjitën edhe Ministri i MPB-së, Oliver Spasovski dhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, të cilët gjithashtu përmes paraqitjes , u vaksinuan sot në Kumanovë.
“Dua ta shpreh kënaqësinë, që qytetarët në Kumanovë kanë shfaqur interesim të madh për vaksinim. Deri tash mbi 10 për qind e qytetarëve janë imunizuar. Pa marr parasysh me cilën vaksinë, me rëndësi është të vaksinohemi , me qëllim që të pengohen forma të rënda të Kovid-19 me pasoja fatale. Të gjitha vaksinat janë të verifikuara dhe të sigurta. Në përgjithësi gëzon fakti që kemi numër mjaft të madh të atyre që duan të vaksinohen .Por apelojë edhe tek të tjerët që të paraqiten për vaksinim në vakcinacija.mk, sepse me këtë i ndihmojmë edhe vetes edhe familjes, por nëpërgjithësi mbarë shoqërisë.”,- tha ndër të tjera ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.
“U apeloj qytetarëve që në numër sa më të madh ta shfrytëzojnë këtë të drejtë që të imunizohen, sepse kjo është mënyra më e mirë për tu mbrojtur nga kjo pandemi globale me përmasa botërore.”,-tha kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Për shkak të arritjes së numrit më të vogël të dozave të vaksinave gjithsej vetëm 2.000, këtë javë vaksinat do të jepen vetëm në turnin e parë edhe atë nga rreth 500 vaksina në ditë. Ndryshe vlen të theksohet se vetëm gjatë ditës së premte në Kumanovë janë dhënë mbi 1.750 vaksina. (Fatlum Aqifi, TVM2)
