LSDM me zëvendëskryetarë dhe nënkryetarë të rinj

17.05.2021 16:42

LSDM e kryeministrit, Zoran Zaev...

LSDM e kryeministrit, Zoran Zaev, në kongresin e 26 partiak zgjodhi organet e reja partiake. Radmilla Shekerinska nuk do të jetë më zëvendëskryetare e LSDM-së, këtë post tani e tutje do ta ushtrojë Sanja Llukarevska, e cila është edhe drejtoreshë e Drejtorisë së të Ardhurave Publike. Po ashtu emra të rinj edhe sa u përket nënkryetarëve.

Fatmir Bytyqi dhe Venko Filipçe, do të zëvendësojnë Muhamed Zekirin dhe Kosta Petrovin. Nënkryetarë mbeten edhe Milla Carovska dhe Oliver Spasovski. Sekretar i përgjithshëm do të vazhdojë të jetë Ljupço Nikollovski.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, vlerëson se kuadrot e reja në udhëheqësin e LSDM-së janë zgjidhje kualitative, që kanë të gërshetuar përvojën dhe energjinë, do të sjellin ndryshime në LSDM dhe do të punojnë në interes të qytetarëve dhe shtetit.                                                        

“Me këto nënkryetar dhe sekretar gjeneral do ta fitojmë VMRO-DPMNE-në zgjedhjet e ardhshme dhe edhe në disa cikle tjera zgjedhore. Sigurisht më së shumti për ne por edhe për ata, le të ndryshojnë le të ripërtërihen që të mund të kemi një garë të drejt dhe kompetente dhe ndodhte ndonjë herë edhe ata do të fitojnë në ndonjë cikël zgjedhor të mëvonshëm.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE: LSDM po shndërrohet në sulltanat

Por nga kampi rival, VMRO DPMNE vlerësojnë se në LSDM po ndodh një sulltanizim nën udhëheqësin e Zaevit.                                                         

“Zaev vetë propozoi dhe zgjodhi persona që Maqedonisë i sollën sistem shëndetësor të rrënuar dhe politik ekonomike që i shkatërroi perspektivat e shtetit. Me këtë ekip të dështimeve, Maqedonia në vend që të jetë në shoqërinë e shteteve evropiane, është në shoqërinë e shteteve diktatoriale dhe jofunksionale. Ky ekip i Zaevit është ekip për dështime të Maqedonisë, keqkuptimet dhe fërkimet në LSDM i paguajnë qytetarët.”,- tha Stefan Andonovski nga VMRO-DPMNE.

Sa u përket zërave për rikonstruim të mundshëm të qeverisë Kryeministri Zoran Zaev ka përjashtuar një mundësi të tillë, pasi k theksuar se Qeveria është formuar vetëm 8 muaj më parë dhe puna e anëtarëve të Qeverisë akoma nuk është në stadin kur mund të konstatohet nëse ka nevojë ose jo për ndryshime kadrovike.

Edhe nga BDI kanë thënë se nuk planifikohet ndryshimi i kadrove në ekzekutiv. (Sanije Duraku, TVM2)