Maqedoni

Spitali i Tetovës, protestuan punëtorët me kontratë në vepër

17.05.2021 17:39

Më shumë se 100 të punësuar me kontratë në vepër në Spitalin Klinik në Tetovë...

Më shumë se 100 të punësuar me kontratë në vepër në Spitalin Klinik në Tetovë ankohen se nuk kanë marrë rroga dhe punojnë pa kontrata që nga fillimi i këtij viti. Ata këtë e kanë bërë të ditur me anë të një proteste, duke kërkuar nga drejtuesit e spitalit zgjedhje, sa më të shpejtë.
 
“Deri më tani nuk kemi pasur probleme me kontratat tona. Në janar të 2021 kontratat tona nuk e dimë se si kanë përfunduar, ne vazhduam me punë deri më sot dhe ne nuk na është sqaruar se përse kontratat tona nuk janë vazhduar. Ishim në administratë dy herë, por askush nuk na dha përgjigje. Katër muaj jemi pa rroga dhe nuk e dimë edhe sa do zgjasë kjo punë. Kërkesa jonë është që të na rregullohen kontratat se ka njerëz me familje në shtëpi dhe varen nga ajo rrogë.”,- tha i punësuari në kirurgji, Sinisha Petrivski.
 
“Kontratat janë të nënshkruara që në prill, pritet edhe nga drejtori tjetër nënshkrimi. Rroga s`kemi marr që në 31 dhjetor dhe në punë s`kemi shkuar.”,- tha një infermiere. 
 
Drejtori i Spitalit Klinik në Tetovë, Florin Besimi, tha se kontrata ka firmosur, por të njëjtat duhet nënshkruar edhe nga drejtori ekonomik pranë Spitalit të Tetovës. Ky i fundit tha se kontrata janë në përpilim e sipër dhe se rrogat nuk mund të lëshohen pa pasur kontrata.
 
“Kontratat i kanë pasur deri në 31 dhjetor 2020. Ne kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Financave dhe të Shëndetësisë për të marrë pëlqim për të njëjtat që t`iu vazhdohet kontrata diku ka fundi i marsit na kanë ardhur pëlqimet dhe jemi në fazën e përgatitjes së kontratave dhe rrogat nuk iu janë lëshuar sepse nuk mund t`iu lëshohen pa pasur kontratë.”,- u shpreh drejtori ekonomik i Spitalit Klinik – Tetovë, Artan Etemi.
 
Administrata e Spitalit të Tetovës po përgatit vazhdimin e kontratave, pasi për këtë ka marrë pëlqimin nga Ministria e Shëndetësisë.
 
VISAR SADIKI