Tetova feston “28 Nëntorin”
Si asnjë vit më parë, këtë vit në qytetin e Tetovës me të madhe është kremtuar festa e 28 Nëntorit-“Ditës së Flamurit Shqiptar”, kjo falë organizimit të shkollave të mesme dhe mbështetjes së parezervë që dha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.......

“Nuk duhet të harrohet asnjëherë 28 Nëntori, është “Dita e flamurit””- u shpreh një qytetar.
“Kjo është dita jonë më e shenjtë kombëtare, “28 Nëntori”, sot feston Tetova “Ditën e Flamuri”, gjithmonë kemi qenë bashkë dhe do të jemi gjithmonë”- tha një qytetar.
“Organizimi i sotëm ka kuptim shumë domethënës për të gjithë shqiptarët, se Tetova gjallëron me festën e nëntorit”- theksoi një qytetar.
“Mendoj se më mirë nuk mund të bëhet, për herë të parë organizohet një manifestim i tillë”- potencoi një qytetar.
“Sot është dita më e madhe e popullit shqiptar, “28 Nëntori”, kemi dalë krejt populli, festë e madhe është sot në Tetovë”- u shpreh një qytetar.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe ideatorja e “Marshit të Marigonës”, Rudina Veliu Ziberi, theksuan se ky aktivitet është organizuar me një përkushtim mjaftë të madh, për të kthyer në memorien e tetovarëve atë traditë që qyteti e ka pasur vite më parë.
“Tetova gjithmonë ka pasur me vite traditë të manifestimit të 28 Nëntorit, kështu ka qenë edhe para 70 vite, kështu ka qenë kjo frymë e 28 gjithmonë, ne vetëm e kemi kthyer në memorien e njerëzve atë që qyteti e ka pasur, normalisht që jemi angazhuar që të mbajmë nivele të larta kulturore dhe sot të jetë një ditë e bashkimit, një ditë kur të gjitha shoqëritë kulturore artistike do të jenë së bashku, për të parë se ne kemi unitet, kemi mundësi dhe kapacitet për të bërë punë të mbara”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
“Në fakt ne me shumë përkushtim u munduam të organizojmë diçka të veçantë për festat e nëntorit dhe me një ekip mjaftë të organizuar dhe me një përkushtim mjaftë të veçantë, ne arritëm që të organizojmë “Marshin e Marigonës”, ku njëqind e dy nxënëse të shkollës tonë, të veshura e të krehura tamam si Marigona, marshuan në rrugët kryesore të Tetovës dhe këtu në qendër organizuan një fotosesion, në të cilin në korniza të shqiponjës tonë dykrenare bënë një fotosesion dhe numrin 102, që karakterizon 102 vjetorin e pavarësisë së Shtetit shqiptar”- tha ideatorja e “Marshit të Marigonës”, Rudina Veliu Ziberi.
“28 Nëntori” është shënuar në mënyrë impozante edhe nëpër shkollat fillore të të gjitha vendbanimeve shqiptare në rajonin e Pollogut. (Miftar Emini, TVM2)
