Vazhdojnë bombardimet izraelite në Gaza, Erdogan telefonoi Papa Françeskun
Ushtria izraelite ka vazhduar sulmet ajrore në Gaza, me ç’rast njoftohet se janë shkatërruar 15 kilometra të rrjetit nëntokësor...
Ushtria izraelite ka vazhduar sulmet ajrore në Gaza, me ç’rast njoftohet se janë shkatërruar 15 kilometra të rrjetit nëntokësor, tunele të Hamasit. Zëdhënësi ushtarak bëri të ditur se në shënjestër të sulmeve ishin në veçanti kalimet midis tuneleve të ndryshëm, të përcaktuar si ‘Linja C’ e rrjetit. Në total thuhet se janë bërë 35 sulme brenda 20 minutash.
Qyteti i Gazës u godit në mënyrë të përsëritur nga Veriu në Jugm pasi kryeministri izraelitm Benjamin Netanyahum njoftoi se operacioni ushtarak do të vazhdonte. Rrjeti elektrik i qytetit u dëmtua rëndë dhe shtëpitë e nëntë komandantëve të Hamasit përtej Rripit u goditën.
“Shtëpitë e sulmuara u përdorën si infrastruktura terroriste dhe në disa madje u gjetën depo armësh. Si pjesë e sulmit, rreth 35 objektiva terroristë u vunë në shënjestër për një periudhë prej afërsisht 20 minutash”, thotë ushtria izraelite.
Sipas forcave të armatosura izraelite, 54 aeroplanë luftarakë morën pjesë në sulm dhe hodhën rreth 110 municione precize, duke shkatërruar 15 kilometra tunele. Ndërkohë Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, ka telefonuar Papa Françeskun të cilit i ka kërkuar të ndihmojë në mobilizimin e botës për të miratuar sanksione kundër Izraelit për siç thotë ai “masakrën” ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës.
Sipas Turqisë, mesazhet e Papës janë të një rëndësie të veçantë për të “mobilizuar botën e krishterë dhe bashkësinë ndërkombëtare”. Të dielën, Papa Françesku, tha se humbja e jetëve të pafajshme në Gaza ishte “e tmerrshme dhe e papranueshme”.
