Botë
Bruksel, darkë pune e liderëve të Ballkanit Perëndimorë
18.05.2021 09:44
Sod në Bruksel do të mblidhen liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një darkë pune...

Sod në Bruksel do të mblidhen liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një darkë pune, të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell.
Në takim do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ai i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq dhe kryesuesi i radhës i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës Millorad Dodik.
Sipas paralajmërimeve, në Bruksel ky takim do të shërbejë për të diskutuar “në mënyrë të hapur” për zhvillimet e fundit në rajon, procesin e zgjerimit, çështjet gjeostrategjike dhe forcimin e bashkëpunimit në rajon si dhe raporteve mes rajonit e BE-së. Edhe pse në disa media të Kosovës ka pasur spekulime se në këtë vizitë do të realizohet takimi i parë mes kryeministrit te Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, kjo nuk do të ndodhë, pasi Serbia do të përfaqësohet nga kryeministrja Bërnabiq.
Takimi I sotëm në Bruksel vjen pas atij të një dite më pare në Bërdo të Sllovenisë, liderët rajonal nuk u pajtuan që të bëjnë thirrje për mosndryshimin e kufijve në rajon. Kjo pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk ka pranuar që në konkluzat e takimit, të përmendet mosndryshimi i kufijve në rajon, pa u përfshirë edhe kërkesa e Serbisë, që kjo të nënkuptojë “mosndryshimin e kufijve të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, që nuk është pranuar nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Kjo e fundit ka folur edhe për gjenocidin që ka shkaktuar Serbia në Kosovë.
