Botë
Ministri i mbrojtjes i Shqipërisë vizitoi Kosovën, Peleshi: Mbështesim integrimin e Kosovës në NATO
18.05.2021 14:26
Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës, përfshi edhe ndarjen e eksperiencave për anëtarësim në NATO...

Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës, përfshi edhe ndarjen e eksperiencave për anëtarësim në NATO. Kështu ka deklaruar në Prishtinë ministri i mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, pas takimit me ministrin e mbrojtjes të Kosovës, Armend Mehaj. Dy ministrat kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.
“Jemi të gëzuar sa herë që vijmë në Kosovën, është vendi i vëllezërve tanë, i shqiptarëve. Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet mbështetëse e pakursyer e të gjitha proceseve integruese të Kosovës. Ne kemi përshkruar rrugën që Kosova synon, ne kemi ndarë eksperiencën drejt NATO-s.”,- tha ministri i mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi.
“Sfidat e sigurisë janë të ngjashme. Prandaj sot, duke vlerësuar marrëdhëniet vëllazërore, kemi synim që të kemi bashkëpunim në projekte të ndryshme. Në këtë marrëveshje është realizimi i aktiviteteve për akademinë ndërmjet dy ministrive, për integrimin e Kosovës në drejtimin e NATO-s.”,- u shpreh ministri i mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.
Të dy ministrat konfirmuan se dy vendet janë në shërbim të paqes dhe sigurisë globale.
GYLTENE SINANI
