Maqedoni
Ndërtimi i Qendrës së re Klinike në Shkup, përplasje mes LSDM-së dhe VMRO–DPMNE-së
18.05.2021 15:48
LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja opozitare vazhdojnë t’i mbrojnë qëndrimet e tyre...

LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja opozitare vazhdojnë t’i mbrojnë qëndrimet e tyre, duke kritikuar njëra-tjetrën për ndërtimin e Qendrës së re Klinike. Sipas deputetit të LSDM-së, Kostandin Kostandinov, VMRO-DPMNE-ja po vazhdon avazin e saj të vjetër duke u bërë shkaktari më i madh në bllokimin e punës së Kuvendit, ku duhet të miratohet ligji i ri për Qendrën Klinike.
“Partia e udhëhequr nga Hristijan Mickovski me çdo kusht është duke punuar në dëm të shtetit dhe në dëm të qytetarëve. VMRO-DPMNE-ja nuk po heq dorë nga bllokimi i punës së Kuvendit, ku pritet të kalojë Ligji për Qendrën e re Klinike, e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe një gjë e tillë po bëhet e mundur pothuajse pas 80 viteve.”,- tha deputeti i LSDM-së, Kostandin Kostandinov.
Por, nga partia opozitare i hedhin poshtë këto pretendime të partisë në pushtet, duke pohuar se Qeveria për këto katër vite të vetmen gjë që është duke e bërë është që të gjejë rrugë dhe zgjidhje për raste korruptive. Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE-ja nuk ka për qëllim që ta bllokojë punën e Kuvendit, por kjo është vetëm një alibi e Qeverisë për dështimet e shumta të cilat po e shoqërojnë atë në vazhdimësi.
“Qeveria të vetmen gjë të cilën është duke e bërë për këto katër vite është se si të gjejnë rrugë të dyshimta me qëllim që të përzihen në shpalljet publike, tenderë dhe skandale korruptive e të cilat po dalin në publik çdo ditë e më shumë dhe kritika ndaj opozitës se ne po e bllokojmë punën e Kuvendit. Është e vërtetë se Ligji për Qendrën Klinike është i bllokuar, po ka arsye se pse ajo është bllokuar dhe do të mbetet i bllokuar deri sa këtë propozim ligj në 35 faqe nuk e përmirësojnë dhe nuk dalin në pah të gjitha fshehtësitë e tyre, ku tentojnë që përmes Qendrës Klinike të shpenzojnë rreth 1 miliard para të qytetarëve.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Aktualisht në Kuvend presin që të kalojnë diku mbi 30 ligje, e të cilat fillimisht duhet të kalojnë në Komisionet e Punës, por për shkak amendamenteve të dorëzuara nga partitë opozitare shqiptare dhe maqedonase të njëjtat e kanë bllokuar punën e Kuvendit.
FITIM KRYEZIU
