Pendarovski: Pa integrim do të shpërndahen non paper-at

18.05.2021 16:40

Vetëm integrimet europiane ofrojnë perspektivë....

Vetëm integrimet europiane ofrojnë perspektivë dhe siguri  afatgjate për rajonin. Do të ishte tragjike nëse këto procese nuk kanë një afat kohor të arsyeshëm, sepse në mungesë të kësaj strategjie, BE i hap rrugën ideve për “non-paper” të ndryshëm që i kontribuojnë destabilitetit rajonal. Kështu deklaroi presidenti i shtetit, Pendarovski,  për situatën aktuale integruese të Ballkanit Perëndimor.

“Poqëse integrimet zgjasin me vite dhe gjatë kësaj rruge askush nuk mund të japë vlerësime se si do të përfundojnë negociatat dhe në vend të integrimeve shpërndahen propozime si non-paper, implementimi i të cilave sigurisht shpie në konflikt, atëherë është  e logjikshme që qytetarët tanë të tregojnë interes edhe për opsione tjera.”,- tha kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.

Ambasadorët e SHBA-së dhe Gjermanisë: Eurointegrimi mbyll kërcënimet nga jashtë

Edhe aleatët amerikanë dhe gjermanë deklarojnë se eurointegrimi i rajonit i mbyllur kërcënimet nga jashtë. BE duhet të dëshmojë veten për të ruajtur kredibilitetin e saj, thanë ambasadorët e SHBA-ve dhe Gjermansië.

“Gjermania bën presion që të fillojnë bisedimet sepse jemi të bindur se BE duhet ti mbajë premtimet. Kredibiliteti është  vënë në pikëpyetje. Integrimi i Ballkanit Perëndimor është  interes strategjik për ne. Nëse ne nuk e plotësojmë këtë strategji,  atëherë aktorë të tjerë do ta plotësojnë këtë zbrazëtirë, siç ndodhi me vaksinimin e mëhershëm.”,- u shpreh ambasadorja e Gjermanisë, Anke Hollshtajn.

“Bashkimi Evropian do të jetë më e fuqishëm nëse i integron brenda saj vendet e Ballkanit Perëndimor,  me atë që së bashku do të luftojnë kundër kërcënimeve hibride.”,- u shpreh ambasadorja e SHBA-ve, Kejt Meri Bërns.

Analistët: Zgjidhni problemet bilaterale me fqinjin

Edhe njohësit ndërkombëtar të çështjeve ballkanike bëjnë thirrje për integrim sa më të shpejt të rajonit në  familjen evropiane. Ftojnë RMV-në të zgjidh problemet bilaterale.

“E di se ky euroskepticizëm vjen nga dëshpërimi i qytetarëve dhe politikave në RMV, duke pasur parasysh deklaratën e Komisionit Evropian për një pauzë të procesit euro-integrues derisa nuk zgjidhen çështjet bilaterale  me një nga vendet fqinje. Flasim për çështjen e dytë bilaterale pasi që njëra u zgjodh.”,- u shpreh analisti politik gjerman, Hans Geter Poltering.

“Duhet të zhvillohet vetëdija se ndihma nuk vjen prej jashtë por nga vendet fqinje dhe rrethi. Ju duhet këtë ta ripërtërini. Jo vetëm besimin por edhe paqen, bashkëpunimin politik sepse stabilitetit në shtetin tuaj varet nga stabiliteti i fqinjëve tuaj.”,- u shpreh Werner Fasslabend nga Instituti Austrian për Integrime.

Këto komente u thanë në panel diskutimin: “Aktorët e jashtëm  dhe ndikimi i tyre  ne sigurinë rajonale dhe ne procesin integrues te Ballkanit Perëndimor”. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)