U vaksinua presidenti. Pendarovski: Të gjitha vaksinat janë efikase
Vaksinimi po rrjedh pa probleme...

Vaksinimi po rrjedh pa probleme, kurse nga dita në ditë po shtohet edhe interesi i qytetarëve për tu vaksinuar. Deri më tani numri i personave të cilët kanë shprehur interes për vaksinimin përmes ueb platformës vakcinacija.mk është 376.987 qytetarë. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar 9.721 qytetarë.
Krahas qytetarëve po imunizohen edhe krerët politik dhe shtetëror. Gjatë ditës së sotme në Kumanovë u vaksinua edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.
“Vendosëm së bashku me disa persona të kabinetit tim të vaksinohemi në një qytet tjetër, për shkak se ka edhe ashtu lloj spekulime se vaksina tjera jepen në Shkup e vaksina tjera në qytete tjera. Unë dua që dozën e dytë ta marrë në një qytet tjetër të tretë dhe kështu të tregojmë se të gjitha vaksinat të cilat vijnë në vend janë të kontrolluara dhe efikase”,- tha presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
U vaksinuan një pjesë e ministrave, vaksina - mjet i vetëm për kthim në normalitet
Ndërkohë në qendrën për vaksinim në sallën, Boris Trajskovski, u vaksinuan një pjesë e ministrave. Nga ekzekutivi thanë se vetëm përmes procesit të vaksinimit do ti kthehemi jetës në normalitet.
“Para gjashtë muajve jo të plotë, 200 metra larg nga këtu isha i shtrirë për 11 ditë, ku varej ekzistenca ime dhe falë manteleve të bardhë, punonjësve shëndetësor sot pata mundësinë ta bëjë atë që çdo qytetar duhet ta bëjë, u vaksinova. Shfrytëzoj rastin të falënderohem dhe tu apeloj të gjithë qytetarëve të paraqiten në faqen vakcinacija.mk, pasi ky është shpëtimi.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
“Është e rëndësishme që qytetarët të dinë se edhe ne të cilët gjatë gjithë kohës bëjmë apel për vaksinim, ti qasemi këtij procesi. Ne u vaksinuam në prezencë të mediave për të përcjell porosi tek qytetarët për rëndësinë e procesit të imunizimit.”,- u shpreh zëvendëskryeministri për eurointegrime, Nikolla Dimitrov.
“Ne po vaksinohemi, ashtu siç po vaksinohen qytetarët tjerë. Ashtu që nuk ka asnjë privilegj në atë drejtim. As nuk u informuam, as nuk pyetëm se me cilën vaksinë po vaksinohemi. Qëndrimi i qeverisë është që si të gjithë qytetarët tjerë, kur të na vije radha me atë vaksinë që është në dispozicion me atë do të vaksinohemi.”,- tha ministri i drejtësisë, Bojan Mariqiq.
Deri më tani në vend janë dhënë gjithsej 207,219 doza të vaksinave. Të paktën një deri më tani e kanë pranuar 175.620 qytetarë. Ndërsa me dy dozat janë vaksinuar 31.599 qytetarë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
