Botë

Një viktimë dhe 64 raste të reja me koronavirus në Kosovë

18.05.2021 19:27

Në Kosovë u raportua të martën për një rast të vdekjes nga koronavirusi dhe 64 raste të reja të të infektuarve...

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se viktima u regjistrua në Komunën e Gjilanit. Sipas IKSHPK-së, rastet e reja pozitive rezultuan pas testimit të 4,297 mostrave.
 
Shifra prej 64 i bie që rreth 1 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë. IKSHPK-ja po ashtu tha se në 24-orëshin paraprak, 409 pacientë janë shëruar nga koronavirusi.
 
Me këto shifra, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 107,003, i viktimave në 2,227 dhe i të shëruarve në 100,233. Aktualisht, raste aktive janë 4,543.
 
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të martën se 46,097 qytetarë janë vaksinuar kundër koronavirusit. Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit.
 
Në zhvillim e sipër është faza e dytë e vaksinimit, e cila përfshin personat e moshës 65 deri në 79 vjeç. Në fazën e parë, përparësi u është dhënë punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.
 
Në fazën e tretë, ndërkaq, është thënë se do të vaksinohen 50 për qind e qytetarëve. Kosova po zhvillon fushatën e imunizimit me vaksina të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.
 
Vendi nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash nga ndonjë kompani farmaceutike./evropaelire