Maqedoni

Kumanovë, mbeturinat hidhen në lumë. Nuk pastrohet shtrati apo mungesë e vetëdijes?!

19.05.2021 13:20

Përgjatë gjithë shtratit të lumit të Kumanovës, e sidomos në pjesën mes lagjeve “Sredorek” dhe “Pero Çiço”....

Përgjatë gjithë shtratit të lumit të Kumanovës, e sidomos në pjesën mes lagjeve “Sredorek” dhe “Pero Çiço”, mund të shihen mbeturina të materialeve të ndryshme, e madje edhe deponi të tëra. Edhe përkundër faktit se autoritetet lokale disa herë brenda vitit e pastrojnë shtratin, i njëjti mbulohet nga mbeturinat vetëm pas disa ditëve. Qytetarët kritikojnë autoritetet lokale, por fajin e hedhin edhe tek vetëdija e ulët e vet banorëve të kësaj zone.  
 
“Shohim se në këto anë shumë rrallë vijnë nga N. P. “Pastrim dhe Gjelbërim” për të mbledhur mbeturinat. Romët nuk kanë ku t’i hedhin mbeturinat e pastaj i hedhin në lumë. Duhet të investohet më tepër, të vendosen kontejnerë për plehra dhe më shpesh të pastrohet lumi.”,- tha për TVM2 një qytetar i Kumanovës.
 
“Këtë deponi e kanë bërë vetë, unë jetoj këtu dhe në pjesën tonë të lumit nuk ka mbeturina, pasi që nuk hedhim, është pastër, mirëpo rrallë herë vijnë ta pastrojnë lumin.”,- tha një qytetar i Kumanovës.
 
“Qytetarët janë fajtorë sepse ata i hedhin mbeturinat, askush nuk vjen i huaj t’i hedhë ato. Unë punoj këtu afër, shumë herë e kanë pastruar shtratin e lumit, gjithë ato mbeturina i larguan, por kur sheh pas disa muajve prapë formohet ndonjë deponi e egër pasi që rregullisht qytetarë të pandërgjegjshëm hedhin mbeturina, bëhet fjalë për qytetarë me nivel të ulët të vetëdijes.”,- tha për TVM2 një qytetar i Kumanovës.
 
Nga Inspektorati Komunal në Kumanovë thonë se vazhdimisht janë në terren dhe se e vetmja mënyrë për të parandaluar dukurinë e krijimit të deponive të egra është që të bisedohet me banorët e zonës për të gjetur një zgjidhje sistematike. 
 
“Ne si shërbim i inspektoratit vazhdimisht jemi në teren. Por, që të gjobitësh ndokënd duhet që ta kapësh duke e kryer veprën në vendngjarje. Mbeturinat zakonisht i hedhin ose në orët e mbrëmjes ose herët në mëngjes. Pa pjesëtarë të MPB-së ne shumë vështirë ia dalim. Por, edhe nëse ndodh që t’i identifikojmë dhe ua shkruajmë gjobën, në qoftë se janë të papunë apo raste sociale, e gjithë kjo procedurë bie në ujë. Nevojitet një zgjidhje më sistematike, të bisedohet me ata qytetarë, përse po tregojnë padëgjueshmëri të caktuar ndaj sistemit.”,- tha për TVM2 Boban Bojkovski nga Inspektorati i komunës së Kumanovës.
 
Jo vetëm në Kumanovë, problemi me deponitë e egra është prezentë në gjithë rajonin verilindor planor dhe më gjerë. Ndër vite është biseduar, madje ka pasur edhe iniciativa konkrete për krijimin e deponisë rajonale për të gjashtë komunat e këtij rajoni, por deri më tash kjo iniciativë ka mbetur vetëm në letër.
 
FATLUM AQIFI