Maqedoni
Referendumi për digjitalizimin e librave, Komisioni Parlamentar refuzon kërkesën
19.05.2021 14:25
Komisioni për Sistem Politik refuzoi iniciativën qytetare për referendum kundër digjitalizimit të librave...

Komisioni për Sistem Politik refuzoi iniciativën qytetare për referendum kundër digjitalizimit të librave, pasi të njëjtën e vlerësoi si joadekuate, të përpiluar në disharmoni me Ligjin për Referendum. Kryetarja e Komisionit, Sonja Mirakovska, sqaroi se 500 nënshkrimet për mbajtje të referendumit nuk janë grumbulluar para njësive rajonale të Ministrisë së Drejtësisë dhe mungon vula e këtyre institucioneve.
“Nënshkrimet e qytetarëve për ngritjen e iniciativës në nivel shtetëror nuk janë dhënë me formular para organit të administratës shtetërore, kompetente për evidentimin e së drejtës zgjedhore gjatë orarit të punës. Gjithashtu nënshkrimet e qytetarëve nuk janë verifikuar me vulë dhe nënshkrim nga person zyrtar.”,- tha kryetarja e Komisionit për Sistem Politik, Sonja Mirakovska.
I .Q. “Libra dhe mësim duhet të ketë”: Nuk na dëgjuan as sot, vazhdojmë protestat
Komisioni ftoi iniciatorët e referendumit që të dorëzojnë kërkesë tjetër me vetëm 100 nënshkrime, që më pas do të mbështeten nga 10 mijë të tjera. Nga iniciativa qytetare, të irrituar se iu mohua e drejta e fjalës në komision, thonë se s’do heqin dorë nga referendumi.
“As që u pyetëm për mendim, e as që na dhanë fjalën kur kërkuam. Ne do t’i drejtohemi delegacionit të BE-së dhe UNICEF–it me konkluzën vijuese: qytetarët nuk pranojnë flamurin europian në këtë ligj kontrovers, e as mjetet financiare nga banka botërore për zbatimin e së njëjtës.”,- u shpreh Dragana Spasevski nga Iniciativa Qytetare “Libra dhe mësim duhet të ketë”.
Digjitalizimi i librave, përplasje mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së
Nga LSDM thonë se iniciativa e gabuar është e nxitur nga VMRO – DPMNE, të cilët përgënjeshtrojnë pretendimet e tilla.
“Duke ditur se nuk kanë mbështetjen e qytetarëve, nënshkrimet i kanë grumbulluar në kundërshtim me gjitha procedurat. Nuk është hera e parë që VMRO – DPMNE të organizojnë iniciativa me gabime të tilla, jo të rastësishme.”,- u shpreh deputetja e lsdm-së, Zhaklina Llazarevska.
“Duke parë se sa i sensibilizuar është opinioni kundër këtij ligji, jam i bindur se kjo iniciativë prej nesër do të nis dhe së shpejti do të kemi 10 mijë nënshkrime dhe referendum.”,- theksoi deputeti i VMRO–DPMNE-së, Kirill Pecakov.
Paralelisht me grumbullimin e nënshkrimeve s’hiqet dorë nga protestat. Data dhe vendi i tyre do të publikohen në mënyrë plotësuese.
MERAL ISMAILI
