Me ndeshjet e xhiros së 17-të, mbyllet edicion vjeshtor në LPFM
Me derbin e madh mes ekipeve të Vardarit dhe Rabotniçkit, që do të luhet nesër në Arenën “Filipi i Dytë” në Shkup...

Me derbin e madh mes ekipeve të Vardarit dhe Rabotniçkit, që do të luhet nesër në Arenën “Filipi i Dytë” në Shkup, do të ulet sipari për edicionin vjeshtor në ligën e parë futbollistike.
Në stadiumin më të madh në vendin tonë, me fillim në orën 17-të, rivalët e mëdhenj shkupjan, që ndajnë dy pozitat e para në rënditjen tabelare, do të takohen mes vete për herë të 46-të, me ç`rast Vardari deri më tani është për pak më I sukses`shëm, me vetëm një fitore më shumë, të korrur sivjet në muajin gusht, kur kishte mposhtur rivalin me 2-0.
“Kuqezinjët” në këtë ndeshje futen nga pozita e liderit, por pasi përjetuan humbjen e parë sivjet, javën e kaluar nga Renova, ndërsa “romantikët” janë në një seri fantastike prej nëntë fitoresh rresht dhe tani ngecin vetëm tre pikë.
Ekipi i Shkëndisë, pasi iu kthye fitoreve javën e kaluar, me fitoren kundër Sileksit në Kratovë, edicionin vjeshtor do ta mbyll në Tetovë, kur nesër, me fillim në orën 13-të do të pret Pelisterin në krizë të madhe.
Për të përzgjedhurit e Ardian Koznikut, në vigjile të pushimit dimëror, çdo rezultat tjetër pos fitores, do të ishte I barabartë me dështim total.
Nga ana tjetër, në po terminin e njejtë, Renova, pas fitores historike prej 3-0 kundër Vardarit, do të udhëtojë në Turnovë, ku kundër vendasve në krizë, futbollistët e Qatip Osmanit do të kërkojnë tre pikësh të ri, për pushime më të qeta.
Në dy takimet tjera të xhiros së 17-të, të fundit për edicionin vjeshtor, Bregallnica në Shtip do të pret Sileksin, ndërsa Metalurgu në Shkup do të luaj kundër fenerxhiut, Teteksit.
MUSTAFA ADEMI
