Botë
Vazhdon konflikti në Rripin e Gazës, humbën jetën 219 palestinezë dhe 12 izraelitë
19.05.2021 18:35
Konflikti mes izraelit dhe palestinezëve ka hyrë në ditën e 10-të. Mbi 122 bomba u hodhën për 25 minuta nga avionët luftarak Izraelitë...

Konflikti mes izraelit dhe palestinezëve ka hyrë në ditën e 10-të. Mbi 122 bomba u hodhën për 25 minuta nga avionët luftarak Izraelitë, vazhdojnë edhe granatimet intensive.
Mbi 52,000 palestinezë janë detyruar të zhvendosen për të shpëtuar jetën. Izraeli fajson Hamasin për situatën në Rripin e Gazës. Thotë se cak i sulmeve janë anëtarët dhe liderët e Hamasit. Hamasi vazhdon të lëshojë raketa, siç tha, duke shënjestruar një bazë ajrore në jug. Kryeministri izraelit nuk ka ndër mend të tërhiqet.
“Operacioni ushtarak do të vazhdojë deri sa të rikthejmë qetësinë për qytetarët tanë.”,- tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Por, përkundër këmbënguljes së Izraelit se shënjestron ekstremistët, të paktën 219 persona, përshirë 100 gra e fëmijë janë vrarë në Rripin e Gazës. Me frikë dhe ankth po jetojnë edhe qytetarët izraelitë. Atje janë 12 viktima deri tani.
“Pamja pas nesh tregon humanitetin e tyre. Po shkatërrojnë shtëpi teksa banorët janë brenda. Qytetarët largohen nga banesat gjatë natës, fëmijët e të moshuarit janë të tmerruar.”,- theksoi banori i Gazës, Ahmadal-Astal.
“Jemi në këtë situatë prej gati 20 vitesh. Fëmijët vuajnë nga ankthi, kanë frikë të flenë në shtëpinë e tyre. Siç e shihni po qëndrojmë në një vendstrehim dhe shpresojmë për më të mirën.”,- u shpreh banori i Izraelit, Natanel Sharvit.
Diplomacia vijon përpjekjet pas kuintave për ndërmjetësimin e armëpushimit. Franca në koordinim me Egjiptin dhe Jordaninë hartuan një rezolutë me Këshillin e Sigurimit, përmes së cilës kërkohet fundi i dhunës. Megjithatë bëhet fjalë thjesht për një draft. Burime të mbrojtjes izraelite thonë se për momentin nuk ka armëpushim në tryezë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
