Maqedoni

Mijallkovi mbetet në burgun e Shutkës, gjykata nuk pranoi garancinë 10.8 mln euro

20.05.2021 12:55

As 24 orë nuk zgjati shpresa e ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, se do të dalë në liri dhe do të presë në shtëpi...

As 24 orë nuk zgjati shpresa e ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, se do të dalë në liri dhe do të presë në shtëpi plotfuqishmërinë e aktgjykimit të shkallës së parë të shqiptuar ndaj tij. Gjykata Penale kategorikisht hodhi poshtë garancinë e Mijallkovit në vlerë prej 10.8 milionë euro dhe fare nuk e mori parasysh mendimin pozitiv të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që ai të dalë nga burgu. 
 
“Pas marrjes së mendimit pozitiv nga prokuroria kompetente, për propozimin e shfuqizimit të masës së paraburgimit me zëvendësim – garanci, ka sjellë vendim me çka propozimi i mbrojtjes konsiderohet si i pabazë. Këshilli, pas vlerësimit të shkresave të lëndës, konsideron se ende ekzistojnë shkaqe për të cilat u caktua masa e paraburgimit, duke e pasur parasysh edhe llojin dhe karakterin e veprave penale, si dhe lartësinë e dënimit të shqiptuar.”,- thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.
 
Mbrojtja e Mijallkovit tani më ka afat tri ditë që të ankimojë vendimin e Këshillit Gjykues në Gjykatën e Apelit. Deri tani ndaj ish-shefit të DSK-së janë sjellë dy aktvendime të shkallës së parë me gjithsej 20 vjet burgim. Në lëndën “Target-Fortesa”, e cila ka të bëjë më përgjimet e jashtëligjshme, Mijallkovi u dënua me 12 vite burg, në lëndën “Thesari” për furnizimin e jashtëligjshëm të softuerit për ndjekje të komunikimeve, Mijallkovit u shqiptuan 8 vite burg. Në përfundim e sipër është edhe lënda “Tortura”, ku Mijallkovi akuzohet për arrestimin joprofesional dhe jonjerëzor të Ljube Boshkovskit.
 
REXHEP QAMILI