Maqedoni
Strugë, nuk do të prishen objektet rreth liqenit
20.05.2021 13:14
Edhe pas akuzave të shumta për ndërtime pa leje në qytetin e Strugës, kryetari i kësaj komune, Ramis Merko...

Edhe pas akuzave të shumta për ndërtime pa leje në qytetin e Strugës, kryetari i kësaj komune, Ramis Merko, mbetet në qëndrimin se ndërtimet rreth liqenit bëhen me qëllim të tërheqjes së turistëve. Ai thotë se plazhet duhet të jenë të rregulluara për mysafirët që të shijojnë liqenin dhe jo të jenë bosh, e me mbeturina.
“Ne me çdo kusht duhet të mbrojmë të deritashmen dhe të avancojmë për të ardhmen. Nuk e kam thënë kot që ne nuk do prishim si Strugë, por do të ndërtojmë edhe më tutje. Ne sot na duhet edhe 20 objekte të tilla turistike dhe me çdo kusht po kërkojmë nga qeveria të na japin pëlqime adekuate për ndërtimin e objekteve turistike.”,- tha kryetari i komunës së Strugës, Ramis Merko.
Lidhur me djegien e kallameve në rrugën Strugë – Kalishtë, e cila ndodh zakonisht para sezonit turistik, Merko thotë se janë spekulime zërat se atje do të ndërtohen hotele apo objekte të tjera turistike.
“Që do të ndërtohen objektet turistike apo objekte, prapë janë spekulime gjithmonë për të prishur imazhin e qytetit, komunës dhe kryetarit, por ne nuk do të biem pre e spekulimeve, ne do të punojmë në të mirë të qytetit.”,- theksoi kryetari i komunës së Strugës, Ramis Merko.
Ndryshe nga Struga, Ohri ka vazhduar me prishjen e objekteve pa leje në disa zona turistike. Nga komuna e Ohrit thonë se nuk do të ketë devijime dhe të gjitha ndërtimet pa leje do të largohen para sezonit turistik.
ILMIJE ZHAKU
