Botë

Gërvalla: Shkarkimi i 12 ambasadorëve, një hap reformues

20.05.2021 13:44

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, më kërkesë të Ministrisë se Punëve të Jashtme dhe Diasporës....

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, më kërkesë të Ministrisë se Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka liruar nga detyra 12 ambasadorë, në mesin e të cilëve dhe ambasadorin e Kosovës në Shkup, Gjergj Dedajn. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, duke konfirmuar se presidentja Osmani ka miratuar dekretin për lirimin e ambasadorëve, ka theksuar se shkarkimi i ambasadorëve të emëruar politikisht është vetëm një hap drejt reformave që do të bëjnë në shërbimin diplomatik.
 
“Ky është vetëm një hap në reformën e thellë të shërbimit diplomatik të RK-së. Ai do të pasohet nga vendime të tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështetet nga legjislacioni i ri i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik përgjatë standardeve ndërkombëtare. Në javët në vijim do të bëhet përzgjedhje e ambasadorëve të rinj, si dhe do të vazhdojë reforma në rrjetin e ambasadave dhe konsullatave.”,- tha Donika Gërvalla nga MPJ e Kosovës. 
                                                                    
Përveç ambasadorit në Shkup, nga detyra janë liruar edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, ambasadori në Gjermani, Çeki, Holandë, Hungari, Kroaci, Slloveni, Australi, Mali i Zi, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ambasadorit në Katar. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka konsideruar suspendim të politikës së jashtme të Kosovës lirimin nga detyra të të gjithë ambasadorëve të Kosovës "të emëruar politikisht".
 
"Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, e zbehin subjektivitetin ndërkombëtar dhe i përmbysin të arriturat e dy dekadave të fundit në diplomaci”,- ka vlerësuar Hoxhaj.
 
GYLTENE SINANI