Ekonomi
Besimi: Kemi plan për rimëkëmbje ekonomike
20.05.2021 14:30
Rimëkëmbja e ekonomisë nga pasojat e pandemisë është qëllimi kryesor i qeverisë dhe Ministrisë së Financave...

Rimëkëmbja e ekonomisë nga pasojat e pandemisë është qëllimi kryesor i qeverisë dhe Ministrisë së Financave, tha ministri i financave, Fatmir Besimi. Me procesin e imunizimit dhe vënies nën kontroll të pandemisë, edhe interesi i investitorëve do të rritet, kurse do të përshpejtohet edhe rritja ekonomike përmes rritjes së aktivitetit ekonomik. Besimi tha se këto vlerësime i ka të mbështetura nga shifrat zyrtare të cilat këtë vit janë në rritje, kurse përmes planit për rritje ekonomike do të synohet konsolidimi fiskal.
“Objektivi kryesor i planit është që përmes krijimit dhe shfrytëzimit të mekanizmave, instrumenteve, fondeve dhe burimeve të reja të financimit, të krijohet efekt i shumëfishtë, respektivisht përveç investimeve publike të planifikuara në vlerë prej rreth 4 miliardë euro për periudhën 2021-2025, të financuara nga Buxheti, fondet IPA dhe institucionet financiare ndërkombëtare, të mobilizohen disa herë më shumë mjete dhe investime nga sektori privat. Kështu, do të rriten investimet e përgjithshme, do të përshpejtohet rritja e bruto produktit vendor dhe do të përshpejtohet hapja e vendeve të reja të punës.”,- theksoi ministri i financave, Fatmir Besimi.
Fiti: Të ulen shpenzimet e qeverisë, të rritet tatimi
Megjithatë, akademiku, Taki Fiti, vlerëson se për shkak se pandemia ende nuk ka mbaruar, rikuperimi i plotë i ekonomisë së vendit do të ndodh vitin e ardhshëm. Sfidë për institucionet financiare, sipas Fitit do të jetë menaxhimi me borxhin publik. Apelon për uljen e shpenzimeve jo produktive dhe rritjen e tatimeve.
“Kryesisht të shkoni në uljen e shpenzimeve të qeverisë, edhe ato jo-produktive. Kurse si opsion i dytë të shkoni në rritjen e tatimeve, apo më mirë t’i kombinoni këto dy opcione. Mendoj se për Maqedoninë më e mirë është ajo që thotë se maksimalisht duhet të reduktohen shpenzimet joproduktive të qeverisë, kurse rritja e tatimit të jetë e matur apo sipas mendimit tim të shkohet në progresivitet të butë te tatimi i pronës, kurse nga ana tjetër të rritet tatimi i pronës.”,- u shpreh kryetari i ASHAM-it, Taki Fiti.
Minsitri Besimi njëherit potencoi se veç më Qeveria ka miratuar strategji për reforma në sistemin tatimor.
ERSAN PAJAZITI
