Maqedoni
MPJ e Rusisë: Dëbimi i diplomatit rus nga RMV, akt armiqësor.
20.05.2021 15:49
Moska zyrtare e konsideron si akt armiqësor shpalljen e diplomatit rus si persona “non grata”.....

Moska zyrtare e konsideron si akt armiqësor shpalljen e diplomatit rus si persona “non grata”. Në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë thuhet se është e pamundur që ky veprim të mos ndikojë në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe paralajmërojnë masa reciproke.
“Rusia njoftoi kundërmasa për Maqedoninë, pas dëbimit të diplomatit rus disa ditë më parë. Më 14 maj, u mor një akt armiqësor kundër misionit diplomatik rus në Maqedoninë e Veriut. Autoritetet në vend e kanë shpallur një nga diplomatët "persona non grata". Ne fuqishëm i dënojmë aktivitetet e tilla të pamotivuara, të cilat nuk mund që të mos reflektojnë në marrëdhëniet ruso-maqedonase. Do të pësojnë masa reciproke",- thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme ruse.
Osmani: Diplomati rus u dëbua pasi shkeli rregullat
Por, ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sqaroi se diplomati rusë është dëbuar për shkak të aktiviteteve që nuk janë në pajtueshmëri me shërbimin diplomatik. Ai shpreson se vendimi I autoriteteve të vendit për të dëbuar diplomatin rus, nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes Moskës dhe Shkupit.
“Ky rast është direkt i lidhur me shkeljen e rregullave të diplomatëve. MPJ-ja dhe institucionet tjera e kanë dokumentuar këtë rast pas hetimeve të hollësishme dhe në bazë të kësaj është konstatuar se kjo sjellje nuk është në pajtim me statusit diplomatik dhe konform Nenit 9 të Konventës së Vjenës është marrë vendimi që të shpallet “persona non grata” dhe brenda 7 ditëve të largohet nga Maqedonia e Veriut, për çka është njoftuar edhe ambasadori rus, të premten e kaluar.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Osmani sqaron se kjo nuk ka të bëjë aspak me pyetjen se RVM është me ShBA-të apo Rusinë, pasi që nga viti 1993 vendi është deklaruar si shtet i interesuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. RMV në Moskë ka dy diplomatë, por jo ambasador dhe nëse Rusia do të kundërpërgjigjet me dëbim, ambasada në Moskë do të ngelte me vetëm një të punësuar.
SANIJE DURAKU
