Kulturë
Anxhela dhe Gjoni në finale, zgjidhen 10 finalistët e së shtunës në “Eurovizion”
21.05.2021 10:09
Ka përfunduar nata e dytë gjysmëfinale e Festivalit të Këngës Evropiane gjatë së cilës interpretuan 17 shtete...

Ka përfunduar nata e dytë gjysmëfinale e Festivalit të Këngës Evropiane gjatë së cilës interpretuan 17 shtete. Edicioni 65-të kishte performanca dhe interpretime unike,ndërsa kjo është hera e parë që pas kufizimeve të pandemisë Covid-19, Eurovizioni po e zhvillon ceremoninë.
Shqipëria ishte edhe shteti i parë nga dhjetë shtetet e kualifikuara për në finalen e së shtunës. Ajo përfaqësohet nga këngëtarja Anxhela Peristeri me këngën “Karma” e cila ngjalli emocione të mëdha tek publiku, duke u bërë ndër këngëtaret më të përfolura të Eurovizionit, që kishim mundësi ta ndjekim bashkë në transmetim të drejtpërdrejtë në kanalin tone. Kjo natë ishte me fat edhe për shqiptarin tjetër Gjon Muharremaj i cili shkoi në finale ndërsa përfaqëson Zvicrën. 8 finalistët e tjerë që u zgjodhën mbrëmë janë Serbia, Bullgaria, Moldavia, Portugalia, Islanda, Finlanda, Greqia dhe San Marino. 10 finalistët e natës së parë gjysmë finale ishin Norvegjia, Izraeli, Rusia, Azerbajxhani, Malta, Lituania, Qipro, Suedia, Belgjikadhe Ukraina.
Rezultati më i mirë i Shqipërisë është arritur në vitin 2012 me përfaqësimin e këngëtares Rona Nishliu, e cila u radhit e 5-ta, ndërkohë për herë të parë në vitin 2004 morri pjesë me Anjeza Shahinin, e cila u rendit në vendin e 7. Finalja e madhe e “Eurovision 2021” do të zhvillohet me 22 Maj, ditën e shtunë,përsëri me transmetim të drejtpërdrejtë në TVM 2, natë kjo ku listës i shtohen edhe vendi pritës Holanda dhe 5 shtetet e mëdha: Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar.
LEUNORA KALIQI
