Maqedoni
Vaksinimi në RMV, procesi vazhdon, qytetarët ankohen për pritje
21.05.2021 13:56
Vazhdon procesi i vaksinimit të qytetarëve në vend. Në pikat e vaksinimit deri tani janë vaksinuar gjithsej 206.013 qytetarë....

Vazhdon procesi i vaksinimit të qytetarëve në vend. Në pikat e vaksinimit deri tani janë vaksinuar gjithsej 206.013 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës anti-Covid e kanë marrë 9.561 qytetarë, ndërsa gjatë ditës së enjte janë vaksinuar 11.646 qytetarë. Ministria e Shëndetësisë kumton se procesi po realizohet pa pengesa, se nuk ka probleme me terminet e caktuara të qytetarëve dhe shprehet e kënaqur nga realizimi i deritanishëm i këtij procesi, por situata në terren është pak më ndryshe. Qytetarët e anketuar ankohen për vonesa të mëdha me terminet e tyre për vaksinim dhe për mungesën e herëpashershme të vaksinave nëpër punkte.
“Tani hyra dhe dëgjova se si po i thërrasin njëherë qytetarët të cilët nuk kanë ardhur në kohë për vaksinim më datën 15, 16, 17, 18, 19 dhe 20 maj, ndërsa ne presim këtu, mandej na zuri edhe pushimi i mjekëve…”,- tha një qytetar.
“Një e afërmja ime tri herë është kthyer, sepse nuk ka pasur vaksina të mjaftueshme këtu. Si është e mundur kjo kur është caktuar termini i saj për vaksinë dhe kur dihet numri i saktë i qytetarëve që do të duhet të vaksinohen.”,- theksoi një qytetar.
“Unë prita mbi 35 minuta për t’u vaksinuar.”,- u shpreh një qytetar.
Ekipet mjekësore arsyetohen se vonesa e termineve për vaksinim është për shkak të detyrimit të tyre ligjore që para vaksinimit të qytetarëve të ditës, njëherë duhet të thirren qytetarët të cilët nuk kanë ardhur për vaksinim gjatë 7 ditëve të kaluara. Mjekët po ashtu ankohen se disa qytetarë edhe përkundër terminit të caktuar, përzgjedhin llojin e vaksinës dhe refuzojnë të marrin vaksinën e cila është në dispozicion.
“Procesi i vaksinimit po zhvillohet mirë. Në bazë ditore këtu po i vaksinojmë rreth 600 qytetarë. Punkti punon prej 7 e 30 në mëngjes deri në orën 20 në mbrëmje dhe kryesisht të gjithë qytetarët të cilët kanë termine po vaksinohen pa pengesa, ndërsa ata të cilët nuk kanë ardhur për ndonjë arsye në terminin e caktuar, ne e kemi për detyrë për 7 ditët e ardhshme t’i thërrasin dhe ata të vijnë të vaksinohen.”,- deklaroi mjekja, Daniella Nikollovska Hristova.
Deri tani janë aplikuar gjithsej 244.518 doza vaksina, ndërsa 38.505 qytetarë janë rivaksinuar. MSH u apelon qytetarëve që të regjistrohen masovikisht në vakcinacija.mk për t’u futur më lehtë në sistemin e vetëm dhe i shpejtë për t’u vaksinuar.
Ndërkohë, për shkak të uljes drastike të numrit të të infektuarve ditëve të fundit autoritetet shëndetësore kanë filluar të mbyllin disa reparte të shndërruara më herët si Covid qendra në kompleksin e klinikave “Nëna Terezë” në Shkup. Ministria e Shëndetësisë informon se prej ditës së premte pacientë të rinj me Covid do të pranohen vetëm në Klinikën Infektive dhe në Institutin TBC.
REXHEP QAMILI
