Maqedoni
Nuredini për “Ta Nea”: Interkonektori, pjesë e strategjisë së RMV-së
21.05.2021 14:32
Ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini...

Ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini, në kuadër të punimeve të forumit ekonomik të “Delfit” në Athinë, ka deklaruar se interkonektori me Greqinë është pjesë e pandashme për strategjinë nacionale të Maqedonisë së Veriut, për diversifikim të burimeve të gazit natyror dhe lidhjes së mëtutjeshme me vende të tjera fqinje, siç janë Shqipëria, Serbia dhe Kosova, me qëllim të porosisë së gazit. Ministri Nuredini ka shtuar se kjo, “dukshëm do të ketë përfitime ekonomike për të dyja vendet” dhe shfaqi bindje se së shpejti do të finalizohet.
Në intervistën për të përditshmen greke “Ta Nea”, ai shton se ekziston nevojë edhe për bashkëpunim për energjinë e pastër, duke sqaruar se Maqedonia e Veriut miratoi plan gjithëpërfshirës për qasje energjetike dhe klimatike dhe menjëherë më pas do të përqendrohet në distancimin e përdorimit të lignitit për prodhimtari të energjisë elektrike, me ç’rast investon në burime ripërtëritëse të energjisë, siç janë fotovoltaikët dhe mullinjtë me erë. Potencoi se Maqedonia e Veriut varet nga ligniti, megjithatë në të ardhmen, gazi do të jetë faktor themelor në përzierjen energjetike dhe shtoi se “sipas ambicies për klimën, në masë të madhe, vendi investon në burimet ripërtëritëse të energjisë”.
Sa i përket sfidave gjeopolitike në rajon, tha se nuk sheh shumë, sepse beson se “rajoni e di që për t’i përforcuar në mënyrë shtesë rrjetet dhe që të arrijmë prodhimtari më të pastër të energjisë, imperativ është që të bashkëpunojmë”,- shtoi ministri i ekologjisë, Naser Nuredini, për të përditshmen greke “Ta Nea”.
