Botë

Armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, organizatat ndërkombëtare mirëpresin vendimin

21.05.2021 17:40

Pas 11 ditëve sulme, Izraeli pajtohet për armëpushim me Hamasin i ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari...

Pas 11 ditëve sulme, Izraeli pajtohet për armëpushim me Hamasin i ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari midis të dyja palëve. Armëpushimi hyri në fuqi  të premten herët  në mëngjes.
 
Edhe pse Netanjahu nuk e kishte ndër mend t'i jepte fund konfliktit, duket se tentimet e fuqive botërore kanë dhënë rezultat. Armëpushimi është mirëpritur nga të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe sipas tyre zgjidhja politike është e vetmja mënyrë për të vendosur paqen në këtë rajon.
 
"Unë jam i kënaqur nga armëpushimi mes Gazës dhe Izraelit pas konflikteve që rezultuan me vdekje për 11 ditë. Palëve i bëj thirrje që të zbatojnë armëpushimin. Liderët izraelitë dhe palestinezë përtej rivendosjes së qetësisë kanë një përgjegjësi për rifillimin e një dialogu serioz.”,- u shpreh sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
 
"I mirëpritur armëpushimi i njoftuar midis Izraelit dhe Hamasit duke i dhënë fund konfliktit 11-ditorë.Mundësia për paqe dhe siguri për qytetarët duhet të shfrytëzohet.",- theksoi kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel.
 
"Vetëm një zgjidhje politike mund t'i sjellë paqe dhe siguri kujtdo edhe konflikti Izrael-Palestinë mund të përfundojë vetëm me një zgjidhje politike, prandaj ju kërkoj palëve të forcojnë armëpushimin dhe të sigurojnë stabilitet afatgjatë.”,- tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
 
“BE ka përsëritur gjithmonë se situata në Rripin e Gazës nuk është e qëndrueshme. Vetëm zgjidhja politike do t'i japë fund problemit Palestinë-Izrael dhe do të sjellë paqe të qëndrueshme. BE është e gatshme të mbështesë autoritetet izraelite dhe palestineze në këto përpjekje. Për këtë qëllim, ajo do të rinovojë kontaktet me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, duke përfshirë SHBA-në dhe Kuartetin e Lindjes së Mesme të ringjallur dhe partnerë të tjerë në rajon.",- theksoi përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.
 
Marrëveshja midis Izraelit dhe Hamasit, e cila u dakordua të ishte e ndërsjellë dhe e njëkohshme, hyri në fuqi në orën 02:00 pas mesnate. Palestinezët që jetojnë në Kudsin Lindor shkuan në Mesxhid al-Aksa në namazin e sabahut për të festuar armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit.
 
Festa të ngjashme u mbajtën në qytetin e pushtuar të Ramallahut në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës së rrethuar. Menjëherë pas armëpushimit Kina dhe Turqia dërguan ndihma humanitare për Palestinën. 75.000 palestinezët që u shpërngulën nga zona e luftës, u rikthyen në shtëpitë e tyre të rrënuara.
 
Në këtë konflikt që filloi më 10 maj, të paktën 243 palestinezë e kanë humbur jetën, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra dhe më shumë se 1.700 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, ndërsa nga sulmet e Hamasit humbën jetën 12 izraelit.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU