Botë

Kolumbi, hyjnë në ditën e 25 protestat kundër qeverisë

24.05.2021 10:50

Mijëra njerëz në Kolumbi janë mbledhur edhe njëherë në sheshet e qyteteve të ndryshme....

Mijëra njerëz në Kolumbi janë mbledhur edhe njëherë në sheshet e qyteteve të vendit në protesta masive kundër qeverisë që vazhdojnë që nga 28 prilli. Shumica e protestave kanë kaluar të qeta, por në disa të tjera janë shënuar përleshje mes policisë dhe grupeve protestuese. Në Medellin policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome pasi disa grupe me fytyrat e mbuluara tentuan në mbrëmje të grabisin një qendër tregtare. Gjatë përleshjeve u plagosën 9 persona, përfshirë 3 policë si dhe u arrestuan shumë të tjerë. 

Në qytetin Cali në të cilin janë përjetuar ngjarje të dhunshme që nga fillimi i protestave e deri më tani, pati gjithashtu konflikte mes policisë dhe protestuesve që bllokuan rrugën kryesore. Një i vdekur dhe 6 të plagosur u regjistruan në Cali.

Në 25 ditë protestash janë plagosur edhe 16 gazetarë si pasojë e ndërhyrjes së policisë gjatë protestave. OJQ-të thonë se deri tani, 42 protestues kanë humbur jetën në protestat kundër reformës tatimore që filluan me grevë të përgjithshme, ndërkohë që 2.905 të tjerë janë përballur me dhunën policore dhe 21 persona me dhunën seksuale. janë plagosur 1.049 policë dhe 1.040 civilë dhe janë arrestuar 1.264 persona.