Botë
Covid-19, Indi, 4.454 të vdekur në 24 orët e fundit
24.05.2021 13:37
Ka tejkaluar mbi 300 mijë numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit....
India vazhdon të ketë probleme të mëdha në përballjen me pandeminë Covid 19 dhe në muajt e fundit është kthyer në shtetin më të prekur ne botë nga virusi Korona. Numri i vdekjeve atje kaloi shifrën 300 mijë duke e radhitur Indinë në vendin e tretë në botë me më shumë se 300 mijë vdekje, pas SHBA-së dhe Brazilit. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se me vdekjen e 4.454 personave në 24 orët e fundit, numri i viktimave në vend ka shkuar në 303.720. 100 000 viktimat e fundit janë regjistruar në më pak se një muaj. Ekspertët megjithatë paralajmërojnë se numri i vërtetë i vdekjeve dhe rasteve mund të jetë shumë më i lartë se shifrat e publikuara.
Një valë e dytë vdekjeprurëse javët e fundit, ka mbingarkuar sistemin e kujdesit shëndetësor në Indi. Spitalet luftojnë për të përballuar fluksin e pacientëve me ilaçe dhe oksigjen, të cilat janë duke mbaruar. Në disa vende nuk ka hapësirë për krematoriumet dhe janë të detyruar të zgjerohen në vendet e improvizuara në parqet publike. Aktualisht janë kryer 196 milion e 51 mijë e 962 vaksinime, por për një vend me një popullsi prej rreth 1,4 miliard banorë, këto shifra vaksinimesh nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar pandeminë sidomos në një kohë kur vendi ka probleme edhe në furnizimin me vaksina.
UNICEF: ¼ e të infektuarve në Jemen kanë humbur jetën
Një tjetër vend që ka probleme në përballjen me pandeminë është edhe Jemieni. UNICEF njoftoi se një e katërta e të infektuarve me Covid 19 në këtë shtet, apo 5 herë më shumë se mesatarja botërore, kanë humbur jetën. Sipas shifrave zyrtare në Jemen, deri më tani 1.307 persona kanë vdekur dhe janë raportuar 6.658 raste. Shifrat zyrtare nuk përfshijnë rajonet nën kontrollin e rebelëve Huthi. UNICEF thotë se shumica e rasteve me virusin nuk janë diagnostikuar.
Japonia nis programin e vaksinimit masiv
Japonia ndërkohë ka nisur programin e vaksinimit masiv, teksa situata me pandeminë vazhdon të përkeqësohet. Sistemi shëndetësor atje është ngarkuar nga vala që ka prekur së fundmi këtë vend. Aktualisht në Japoni, 5 për qind e popullsisë është e vaksinuar plotësisht. Ky shtet ka nisur procesin e vaksinimit në muajin shkurt, më vonë sesa pjesa tjetër e vendeve të zhvilluara.
FLORIJE BELULI KAMBERI
