Maqedoni

Propozimi i Presidencës portugeze me Unionin, Zaev: Për ne është një bazament i mirë për zgjidhje

24.05.2021 17:39

Qeveria po shqyrton me kujdes propozimin e kryesimit portugez me BE-në për zgjidhjen...

Qeveria po shqyrton me kujdes propozimin e kryesimit portugez me BE-në për zgjidhjen e kontestit dypalësh bullgaro-maqedonas. Kryeministri, Zoran Zaev, nuk zbuloi detaje nga propozimi por, tha se  propozimi i eurokomisarit, Oliver Varheji, dhe shefit të diplomacisë portugeze, Augusto Silva, paraqet bazë të mirë për zgjidhje ku palët të arrijnë pritshmëritë e tyre.
 
“Nuk kam detaje për palën bullgare se si po e shqyrton propozimin, por sipas meje, kryesimi portugez, përkatësisht ministri portugez Augusto Silva me ekipin  e tij kanë treguar kujdes për të dyja palët që të përputhen pritshmëritë. Për ne është një bazament i mirë, si pikënisje për zgjidhje. Ne e diskutojmë seriozisht. Kemi mbajtur disa seanca dhe do të vazhdojmë edhe gjatë kësaj jave.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Takimi Radev-Pendarovski, Zaev: Pres nxitje për një hap para
 
Një nxitje tjetër pritet që t’i jep këtij procesi edhe takimi i presidentëve të dy vendeve respektive, Stevo Pendarovski dhe Rumen Radev, të cilët më 26 dhe 27 maj, në Romë, së bashku do të nderojnë veprën e Shën Kirilit dhe Metodit.  
 
“Besoj se edhe fryma evropiane e z. Radev dhe presidentit tonë do të jetë një nxitje e mjaftueshme që të hedhim një hap para dhe të vazhdojmë në evropianizimin tonë dhe gjithsesi përmes planit strategjik t’ia dalim të shpejtojmë zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Radev: Rruga e RMV-së për në BE, përmes Sofjes 
 
Presidenti bullgar madje nuk nguroi të deklarojë se është nën presion nga vendet anëtare të BE-së. Sqaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve do të ndërtohen në frymën e besimit dhe miqësisë.
 
“Menjëherë tërhoqa vëmendjen e të gjithë liderëve evropian. Ka një vëmendje të lartë mbi Bullgarinë, s’dua të them presion, por mos harrojmë Bullgaria është anëtare e BE-së dhe ne kërkojmë solidaritet te vendet anëtare. Më e rëndësishmja është  se Bullgaria si anëtare serioze të mos lejojë që në Union të hyjnë probleme të reja. Rruga  evropiane e vëllezërve tanë nga Maqedonia e Veriut kalon përmes Sofjes.”,- u shpreh presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
 
Ndryshe, më 21 maj, ministri i jashtëm portugez, Augusto Silva, dhe komisionari për zgjerim, Oliver Varheji, i dorëzuan Shkupit dhe Sofjes propozimin e presidencës portugeze me BE-në për zgjidhjen e kontestit dypalësh, si parakusht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim.   
 
SHPËTIM NUREDINI