Maqedoni

Propozimi i BE-së për kontestin RMV-Bullgari, Ramadani: Model për dy procese paralele

24.05.2021 18:23

Iniciativa e Portugalisë dhe diplomatëve të BE-së për t’ju ardhur në ndihmë Shkupit dhe Sofjes...

Iniciativa e Portugalisë dhe diplomatëve të BE-së për t’ju ardhur në ndihmë Shkupit dhe Sofjes për të tejkaluar dallimet mes tyre është serioze dhe për disa gjëra pajtohen të dyja palët, thotë analisti politik, Ismet Ramadani. Ky propozim, sipas tij, nuk ndërhyn në çështjet mes palëve, por ofron model që RMV të fillojë bisedimet me BE-në dhe nga ana tjetër të vazhdojë raportet me Bullgarinë.
 
“Propozimin që e sollën është një “modus vikendi” në këtë situatë që bullgarët të japin një dritë jeshile për hapjen e bisedimeve me atë që  me tutje disa çështje të mund të bisedohen si problem apo zgjidhje bilaterale… Sa i përket Maqedonisë, të gjithë në një mënyrë sikur e aprovuan këtë propozim të Portugalisë si bazë e shëndoshë pra që të vazhdojnë bisedimet, dhe këtu ka arsye të pranohet për shkak se në një mënyrë jepet mundësi të pranohet kodifikimi i gjuhës maqedonase nga 45 e këndej, ndërsa disa çështje historike të cilat bazohen në fakte argumente mbeten të bisedohen në ecje nga komisioni i përbashkët.”,- tha analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Edhe pse vetëm një muaj deri në samitin e BE-së Ramadani shpreson se me diplomacinë e bashkuar ndërkombëtare, Bullgarisë do t’i  ndalet fuqia e vetos. Amerika dhe Evropa kanë interes gjeopolitik për të ndihmuar në zgjidhjen e kontestit mes dy shteteve, sepse duan ta frenojnë depërtimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor, thotë Ramadani.
 
“Administrata e Bajdenit si duket me kanalet e veta po shtrihet në Ballkanin Perëndimor dhe siç i njohim ata  me pragmatizmin e tyre, Bullgaria vështirë e ka ti qëndrojë presionit amerikan- evropian dhe ka shpresa në qershor të hapet një derë sa për ti filluar bisedimet.”,- u shpreh analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Propozimi Silva – Varheji do të shqyrtohet edhe më tej pasi që ndërmjetësuesit në kontest tanimë posedojnë informacionet dhe qëndrimet e  dy shteteve  dhe mbetet të shihet deri në fund të qershorit aktiviteti i tyre në drejtim të  ndihmës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes RM-së dhe Bullgarisë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU