Maqedoni

Bytiqi dhe Hajdari: Bashkëpunim për rikuperim të pasojave të pandemisë

25.05.2021 14:48

Konkurueshmëria është çelësi që duhet të hap derën e prosperitetit në Ballkanin perëndimor ka deklaruar zëvendëskryeministri Fatmir Bytiqi...

Konkurueshmëria është çelësi që duhet të hap derën e prosperitetit në Ballkanin perëndimor ka deklaruar zëvendëskryeministri Fatmir Bytiqi në konferencën rajonale “Ndikimi Ekonomik dhe Pasojat e Krizës”. Bytiqi thekson se pasojat nga kriza e pandemisë mund të rikuperohen vetëm me një bashkëpunim të mirëfilltë me vendet e rajonit. Sipas Bytiqit arritje thelbësore për gjithë rajonin do të ishte arritja e qëllimit të procesit të Berlinit.
 
“Interesi ynë i përbashkët është forcimi i bashkëpunimit ekonomik në mundësi që në tërësi të mund ti përdorim dhe të zhvillojmë potencialet tona. Thelbësore për të gjithë ne është arritja e qëllimeve të procesit të Berlinit, i cili supozon krijimin e një tregu të përbashkët rajonal bazuar në katër liritë, lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike në RMV, Fatmir Bytyqi.
 
Edhe për Kosovën është e rëndësishme që të forcojë bashkëpunimin rajonal, pavarësisht se Serbia po bën gjithçka që të pengojë Kosovën, tha Ministreja Rozeta Hajdari. 
 
“Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe mekanizma të tjera që mund të na ndihmojnë për zhvillim dhe adresim të të gjitha sfidave në aspektin rajonal.”,- tha ministrja e industrisë, ndërmarrësisë dhe investimeve strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari. 
 
Zëvendëskryeministri Bytiqi dhe ministrja Hajdari vlerësojnë se vendet e rajonit duhet unifikuar dhe njëkohësisht shfrytëzuar kanalet e ndryshme për shkëmbim tregtar, gjithashtu potencuan dhe nevojën e promovimit të turizmit si një nga sektorët që ka pësuar më së shumti nga pandemia Covid-19. Shkëmbimi tregtar në tre muajt e parë të vitit 2021 mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës shënon rritje prej 30%.
 
GAMEND REXHEPI