Maqedoni
Ligji i ri për ndërtimet pa leje, Boçvarski: Përjashtohen vikend shtëpizat
25.05.2021 17:26
Me Ligjin e ri për Legalizimin e Ndërtimeve pa leje nuk do të mund të legalizohen vikend shtëpizat...

Me Ligjin e ri për Legalizimin e Ndërtimeve pa leje nuk do të mund të legalizohen vikend shtëpizat dhe objektet në zonat e mbrojtura. Këtë e bëri të ditur ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, në debatin me temë “rregullimi i statusit juridik të objekteve të ndërtuara jashtëligjshëm”.
Ai njëherit sqaroi se nuk do të mund të legalizohen as objektet të cilat nuk janë në përputhje me adresën e vendbanimit.
“Për të dëshmuar se dëshirojmë ta përmirësojmë këtë zgjidhje ligjore, jemi plotësisht të gatshëm të përjashtojmë legalizimin në zonat e mbrojtura. Gjithashtu, do të përjashtohen edhe objektet që janë shtëpi e dytë ose vikend shtëpiza, respektivisht ata të cilët nuk udhëhiqen ma adresa banimi sipas letërnjoftimit, me çka tregojmë se nuk duam të legalizojmë luks. Ekzistojnë gjithashtu mendime që ndërtesat që janë mbi 80 apo 100 metra katrorë nuk mund të legalizohen, sepse atëherë ato shtëpi nuk janë një kategori sociale.”,- deklaroi ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoja Boçvarski.
Në debat, qëndrimet e tyre i shprehën edhe ekspertë të urbanizmit, por edhe profesorë të fushave të ndryshme të cilët theksuan nevojën që objektet të cilat do të legalizohen të jenë në përputhje me planin urbanistik.
“Shumë e rëndësishme është që para se të lejohet legalizimi është që nëse ai objekt është në përputhje me planin urbanistik. Nuk mund të bëhen plane të reja urbanistike për t'iu përshtatur atyre ndërtimeve pa leje, por duhet të shihet nëse ato mund të futen në dokumentacionin ekzistues të planifikimit dhe më pas të lejohet legalizimi.”,- tha profesoresha në fakultetin e arkitekturës, Divna Pençiq.
Deskoska: Ligji i ri ka zbrazëtira, nevojitet plotësim
“Ministri Boçvarski tha se legalizimi nuk mund të bëhet nëse ndërtesa nuk do të jetë një vendbanim sipas numri të letërnjoftimit. Por, edhe kjo pjesë ka zbrazëtirë për shkak se anëtarët e një familjeje mund të jetojnë në adresa të ndryshme, që do të thotë katër anëtarë të një familje mund të legalizojnë katër ndërtesa pa leje.”,- tha profesoresha universitare, Renata Deskoska.
Ligji i ri për Legalizime të Objekteve pa leje që pritet të miratohet për herë të dytë nga ana e kuvendit, pasi të njëjtin e refuzoi ta nënshkruajë presidenti i shtetit pas votimit të parë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit, në vend janë mbi 50 mijë ndërtime pa leje.
ZEKIRJA MEXHITI
