Botë
Takimet e fundit të grupeve PDK-LDK
29.11.2014 18:09
Grupet Punuese të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të takohen gjatë dy ditëve të vikendit...

Grupet Punuese të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të takohen gjatë dy ditëve të vikendit për harmonizimin e programit qeveritar dhe për ndarjen e përgjegjësive.
Këto do të jenë takimet e fundit të këtyre grupeve, pasi që liderët e koalicionit kanë paralajmëruar se në fillim të javës që vjen do të nënshkruhet marrëveshja me të cilën do të bëhet ndarja e përgjegjësive, përfshirë edhe fushat e caktuara të qeverisjes.
Kurse, pas kësaj do të pasojnë konsultimet e brendshme për caktimin e kabinetit qeveritar.
Ndërkohë, vonesën e krijimit të institucioneve pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet PDK-së dhe LDK-së analistët politikë e shohin si tërësisht të paarsyeshme dhe si një mungesë respekti ndaj qytetarëve.
Sipas tyre, PDK e LDK deri më tani do duhej ta kishin qartësuar ndarjen e posteve ministrore, sikurse edhe prioritetet tjera që kanë të bëjnë me krijimin e institucioneve.
Edhe më e paarsyeshme kjo vonesë bëhet kur kihet parasysh fakti që janë bërë më shumë se gjashtë muaj nga zgjedhjet nacionale dhe ende nuk janë formuar institucionet e reja të dala nga këto zgjedhje vlerësojnë analistët Artan Muhaxhiri dhe Riza Smaka.
